Ligji për Përfaqësim s’ka arritur në Kuvend, mbetet në labirintet e Qeverisë
Gazetare: Ajnur Bafqari
Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat ende nuk ka arritur në Kuvend. Këtë për Alsat e konfirmoi edhe kryeparlamentari Afrim Gashi. Ndërkohë, propozimligji mbetet në labirintet e Qeverisë, pa një afat të qartë se kur do të dorëzohet para deputetëve.
“Në lidhje me Propozimligjin për Përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ju informojmë se është miratuar në mbledhje të Qeverisë dhe procedurat qeveritare po zhvillohen pa pengesa. Në momentin kur të paraqitet para deputetëve në Kuvend, opinioni do të informohet”- njoftojnë nga Qeveria.
Nga ana tjetër, BDI-ja, shpreh shqetësime të thella lidhur me përmbajtjen e ligjit dhe vonesat në procedurë. Opozita shqiptare vlerëson se propozimi nuk garanton përfaqësim real, por përkundrazi, sipas saj, rrezikon të rikthejë praktika përjashtuese.
“Ky propozim nuk parashikon kuota etnike, që nënkupton rikthim në realitetin para vitit 2001. Nuk obligon institucionet që të identifikojnë përkatësinë etnike gjatë punësimit apo avancimit, duke e bërë të pamundur matjen reale të përfaqësimit, si dhe nuk përmban dispozita sanksionuese për moszbatim, duke e kthyer ligjin në një deklaratë pa pasoja juridike”- thonë nga BDI.
LSDM nuk komenton propozimligjin. Venko Filipçe, tha se nuk ka parë asnjë version të tij.
“Nuk e kam parë, nuk kam asnjë informacion, asnjë version nuk ka arritur të unë, as version as asgjë, nuk do të komentoja nuk e di çfarë përmban.”- deklaroi numri një i LSDM-së, Venko Filipçe
Propozimligji për Përfaqësim të Drejtë, vjen pas shfuqizimit të Balancuesit, rreth një vit e gjysmë më parë. Balancuesi ishte mekanizëm për ndjekjen e përfaqësimit në institucione. Pushteti aktual vlerëson se Balancuesi është keqpërdorur dhe se përfaqësimi do të rregullohet më mirë me ligjin e ri.








