LSDM e VMRO pa konsensus për shfuqizimin e Qeverisë teknike
Gazetar: Adrian Kerimi
VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja larg konsensusit brenda bllokut politik maqedonas për shfuqizimin e Qeverisë teknike 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare, shkruan Alsat.
Pas deklaratës së kryeministrit Dimitar Kovaçevski se modeli i Qeverisë së Përzhinos mund të hiqet por me kushtin që zgjedhjet të mbahen në afatin e rregullt, VMRO-DPMNE-ja sot ka përsëritur qëndrimin se nuk ka rrugëdalje tjetër na ky qorrsokak pos zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, gjithçka tjetër është zvarritje dhe ngufatje në probleme të reja. Qëndrimi jonë është se zgjedhjet duhet mbajtur sa më shpejtë që është e mundur”, deklaroi Marija Miteva, Zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.
Qëndrime të ndara edhe në bllokun politik shqiptar. Derisa BDI pajtohet për heqjen e Qeverisë teknike, opozita shqiptare kërkon që një gjë e tillë të mos hiqet. Sipas Aleancës për Shqiptarët, Qeveria teknike mund të hiqet vetëm pas ç’kapjes së shtetit, duke shtuar se brenda policisë duhet formuar task forcë e cila do të ndjekë keqpërdorimin e autoritetit të funksionarëve gjatë procesit elektoral. Propozimi për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë do të gjendet në seancë plenare më 10 shkurt. VMRO-DPMNE-ja më 24 janar dorëzoi në Kuvend propozim-ndryshimet për të cilat pret mbështetjen e të gjitha partive politike. Ndryshimi i Ligjit për Qeveri kërkon mbështetje prej 2/3 të votave. Qeveria teknike për herë të parë u zbatua në zgjedhjet e vitit 2016. /Alsat.mk








