LSDM-ja kërkon mbështetjen e qytetarëve: Nuk do të lejojnë futjen “e dhunshme” të migrantëve në vend
LSDM-ja kërkon mbështetjen e qytetarëve: Nuk do të lejojnë futjen “e dhunshme” të migrantëve në vend
Gazetare: Fatlume Dervishi
LSDM-ja thotë se nuk do të lejojnë futjen “e dhunshme” të migrantëve në vend dhe ftoi qytetarët të bëhen pjesë e peticionit online kundër migrantëve. Filipçe tha se mediat britanike tashmë flasin hapur për një marrëveshje mes dy qeverive kurse në këmbim Maqedonia merr 6 miliardë euro të cilat do t’i paguajnë gjeneratat e reja.
“Nuk do të lejojmë me asnjë çmim që këtu të vijnë migrantë. Nuk do të lejojmë që në këtë mënyrë të rrezikohet siguria dhe e ardhmja e vendit. Ne duam zhvillim. Ne duam të jemi pjesë e BE-së, nuk duam të jemi Meka e migrantëve, të vijnë njerëz që e shohim se si sillen në vendet tjera dhe çfarë problemesh krijojnë, dhunë, protesta, përdhunime, sëmundje që janë zhdukur në shumë vende. Ne këtë nuk do ta lejojmë. Do të mobilizojmë secilin qytetar të vendit”, deklaroi Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.
VMRO-DPMNE-ja mohon të ketë një marrëveshje të tillë me Mbretërinë e Bashkuar. Sipas tyre, në vend nuk do të strehohen migrantë.
“Me përgjegjësi, si VMRO-DPMNE konfirmojmë se nuk do të ketë migrantë në Maqedoni. Nuk ka asnjë plan që të ketë në të ardhmen. Opinioni të rrijë i qetë sepse deri sa VMRO-DPMNE-ja është në pushtet migrantë në Maqedoni nuk do të ketë”, tha Valentin Manasievski, VMRO-DPMNE.
Mediat britanike raportuan javën e kaluar se Mbretëria e Bashkuar mund të deportojë azilkërkuesit e refuzuar në Maqedoninë e Veriut në një përpjekje për të dekurajuar migrimin e paligjshëm me anije në vendin e tyre. Sipas raportimeve, të dy vendet kanë qenë në bisedime zyrtare për të zbatuar planin që nga vjeshta. /Alsat.mk








