LSDM me akuza dhe mesazhe të forta: Kritika ndaj VMRO-së dhe thirrje për dialog e pjekuri
Gazetare: Fatlume Dervishi
LSDM-ja akuzon VMRO-DPMNE-ne se po përpiqet ta shkatërrojë nga brenda. Një ditë pas shkyçjes së Petre Shilegovit nga anëtarësia, partia e Filipçes tha se VMRO-ja ka “Platëformë” për këtë qëllim.
“E kapur në skandale kriminale, pa rezultate pas vetes, VMRO-GOK nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përpiqet të shkatërrojë LSDM-në. Sondazhet e fundit të kryera nga vetë VMRO tregojnë se qeveria ka pësuar një rënie të madhe të mbështetjes, ndërsa vlerësimi i LSDM-së është rritur. Kjo është arsyeja se përse kjo po ndodh. Kjo është arsyeja pse ekziston e ashtuquajtura “Platformë” – është “Platforma për shkatërrimin e LSDM-së nga brenda”, e konceptuar nga VMRO. Ne nuk do të lejojmë që LSDM-ja të shkatërrohet,” tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.
VMRO-DPMNE-ja u distancua nga zhvillimet brenda partisë opozitare.
“As Filipçe dhe as Shilegov nuk janë VMRO-DPMNE, ajo që kanë të përbashkët është se u mundën në zgjedhje dhe nuk janë më opsion për qytetarët. Emëruesi i tyre i përbashkët është se populli i njeh mirë dhe ata nuk janë alternativë, as nuk mund të bëjnë asgjë të mirë për vendin, përveçse ta pengojnë që më pas të mos mund të zhvillohet me vite me radhë,” deklaruan nga VMRO-DPMNE.
Shilegov kishte kritikuar udhëheqësinë aktuale të LSDM-së për rrënim të partisë dhe nënshtrim të qëllimshëm ndaj VMRO-së me qëllim që të mos hetohen të bëmat e tyre. Ai kishte kërkuar dorëheqje dhe një strukturë të re.
Anëtarë aktual dhe ish anëtarë të partisë kanë qëndruar kryesisht të heshtur pas përplasjeve të hapura Shilegov-Filipçe. Në rrjetet sociale ka reaguar vetëm Jani Makraduli.
“Kur kohërat bëhen serioze, nuk kemi nevojë për vendime të nxituara, as për fjalë që ofendojnë. Dhe, pikërisht për këtë arsye, bisedat e vështira nuk duhet të jenë katalizator për përçarje. Ato duhet të jenë një hapësirë për dialog të pjekur, për argument, për afrim, jo për përçarje. Nuk ka sukses duke injoruar bisedat e vështira. Ne kemi nevojë për unitet. Ne kemi nevojë për arsye. Ne kemi nevojë për pjekuri. Dhe ne kemi nevojë për një front të përbashkët për ndryshim,” tha Jani Makraduli, LSDM.
Aktiv në LSDM dhe në organet drejtuese të partisë sot nuk janë disa nga figurat më të njohura të cilat gjatë qeverisjes në shtatë vite, ose edhe më herët në opozitë, ishin funksionarët më të ekspozuar si Frosina Remenski, Goran Sugarevski, ish Presidenti Stevo Pendarovski, Kostadin Kostadinovski, Mila Carovska, etj. /Alsat.mk








