LSM doli sot përsëri në rrugë, kërkesa e tyre janë të njëjta

Gazetare: Melihate Rrustemi

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë doli sot sërish në rrugë. Kërkesat e tyre janë të njëjtat, paga minimale të bëhet 600 euro dhe të gjitha pagat e tjera të rriten për 6 mijë denarë. Punëtorët thonë se me çmimet e sotme, rritja nuk është më luks, por nevojë për të siguruar bukën e gojës. Mesazhi i tyre për qeverinë ishte i qartë, nëse pagat nuk rriten, protestat nuk do të ndalen.

“Nesër, nëse e rritni pagën minimale në 600 euro dhe i rritni pagat e të gjithë punëtorëve për të paktën 6000 denarë, nuk do të na shihni më, nuk do të jemi ferrë në këmbë dhe nuk do të nervozoheni për shkak të punëtorëve. Në të kundërt, ju premtojmë luftë edhe më të ashpër, punëtorë edhe më të guximshëm, edhe më shumë protesta e greva deri në rritjen e pagave të punëtorëve”, deklaroi Sllobodan Trendafillov, kryetar i LSM-së.

Edhe në arsim situata paraqitet e vështirë. Ata kërkojnë që ligji dhe marrëveshjet kolektive të respektohen, duke u dhënë punëtorëve atë që u takon me ligj.

“Kërkojmë rritje lineare të pagave, kërkojmë respektimin e marrëveshjeve kolektive në sektorin e arsimit, jo sepse kështu na u është kujtuar, por sepse kështu thotë ligji. Kërkojmë vlerësim dinjitoz të punës për të punësuarit në mbrojtjen e fëmijëve”, deklaroi Tomisllav Gievski, Sindikata e Pavarur e Arsimit.

Sipas protestuesve, më së rëndi e ndjejnë ata që punojnë në shëndetësi dhe sektorë socialë. Për shumë prej tyre, paga e muajit nuk mjafton as për të paguar detyrimet bazë si qiraja apo ilaçet.

“Pagat janë mizore, veçanërisht nëpër shtëpitë e të moshuarve, ne që jemi nën dikasterin e punës dhe politikës sociale. Kemi paga katastrofale, nuk jetohet dot, nuk mund të plotësohen as nevojat bazë me fëmijë e me familje të mëdha. Bëjmë punë të rënda, në kushte të vështira me shumë pacientë që e presin pleqërinë tek ne. Një infermiere të marrë 24 mijë denarë pagë minimale, kjo është vërtet turp”, tha një protestuese nga Manastiri.

“Unë jetoj me qira. Me një pagë nuk mund të paguash as qiranë, as faturat, as ilaçet, e lëre më gjërat e tjera”, thotë një protestuese.

Përfaqësuesit e sindikatave thonë se nuk ka më vend për premtime të zbrazëta. Sipas tyre, pagat duhet të rriten nëse qeveria dëshiron të rinjtë t’i mbajë këtu.

“Pagat duhet të rriten që të rinjtë të mbeten këtu. Kjo është motoja që do të na udhëheqë derisa të arrijmë qëllimin tonë. Çdo ditë do t’i kujtojmë se janë hajdutë e të paturp, ashtu siç nuk kanë turp të shohin vetëm interesin e tyre e jo familjet tona dhe punën tonë”, deklaroi Ivan Peshevski, LSM./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button