Macron bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza
Macron bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza

“Ne duhet të punojmë për një armëpushim në Gaza,” tha Emmanuel Macron, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mobilizohet menjëherë.
“Në të ardhmen e afërt, ne duhet të punojmë për të mbrojtur civilët. Kjo do të thotë se ne duhet të punojmë për një armëpushim”, tha presidenti francez.
Qëllimi i konferencës humanitare që po mbahet sot është të ofrojë ndihmë të menjëhershme për popullin e Gazës, e cila është bërë thuajse e pamundur nga bombardimet e pandërprera izraelite që nga sulmi i befasishëm nga Hamasi më 7 tetor.
Siç raporton gazeta “Le Figaro”, qeveria izraelite nuk është e përfaqësuar në konferencën e organizuar në Champs Elysees, por kreu i shtetit francez ka biseduar të martën me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ata do të bisedojnë sërish sot.
Për Izraelin, “Nuk ka krizë humanitare në Rripin e Gazës”, tha sot një zyrtar ushtarak izraelit, duke pranuar vështirësitë me të cilat po përballen civilët në territoret palestineze ku ata jetojnë ndërsa lufta Izrael-Hamas vazhdon të përshkallëzohet.
Izraeli “po lehtëson dërgimin e ndihmave humanitare”, tha koloneli Moshe Tetro, shefi i organit të Ministrisë izraelite të Mbrojtjes në Gaza që mbikëqyr aktivitetet civile në territoret palestineze.
“Ne e dimë se situata e civilëve në Rripin e Gazës nuk është e lehtë,” shtoi ai.
Ajo që do të thuhet në konferencë po vëzhgohet nga afër nga organizatat humanitare, të cilat ankohen për pamundësinë e dhënies së ndihmës ndërkohë që bombardimet në Gaza vazhdojnë.
Trembëdhjetë OJQ kërkuan një “armëpushim të menjëhershëm”, duke kërkuar “të garantohet hyrja e ndihmave në Gaza dhe respektimi i ligjit ndërkombëtar humanitar”.
Sipas OKB-së, ndihma humanitare për banorët e Gazës dhe Bregut Perëndimor arrin në 1.2 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2023./abcnews.al