Në Podgoricë të Malit të Zi janë bërë disa bastisje, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Shtetit, për veprën penale të spiunazhit. Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, e mirëpriti veprimin e Prokurorisë Speciale të Shtetit, duke thënë se “bëhet fjalë për një aksion ndërkombëtar”. Sipas tij, ai po realizohet me partnerët e Malit të Zi dhe që ka qëllim “ruajtjen e interesave kombëtare”. Më herët, e përditshmja malazeze, Vijesti, duke cituar të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, njoftoi se në Podgoricë janë arrestuar disa shtetas malazezë, nën dyshimin se punonin për shërbimin inteligjent rus. “Një nga personat e arrestuar, sipas të dhënave të ANB-së, ka punuar për shërbimin rus për më shumë se një dekadë dhe është pjesë e një grupi më të gjerë, anëtarët e të cilit njihen nga ANB-ja”, raportoi Vijesti. Duke u thirrur në një burim të paidentifikuar, “Vijesti” po ashtu shkroi se aksioni i ANB-së dhe Prokurorisë Speciale “është vetëm fillimi i aktiviteteve për zbulimin e bashkëpunëtorëve të shërbimeve të huaja inteligjente”./Alsat.mk
372 1 minute read








