Mali i Zi ende pa vaksina, rritet numri i rasteve me Covid -19

Mali i Zi me 620.000 banorë qe vendi i fundit që konfirmoi rastin e parë me Covid-19 në mars të vitit të kaluar. Tani prej dy javësh ai renditet në vendin e parë sa i përket numrit aktiv të të sëmurëve për 100.00 banorë, shkruan DW. Për momentin numri aktiv i të infektuarve është 7.332, ndërsa të dhënat thonë se nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 62.202 raste. Numri i personave që kanë humbur betejën me koronavirusin është 802. Qytetet ku shënohet numri më i madh i rasteve janë: Podgorica, Nikshiqi, Bijelo Pole, Budva, Kotori, Herceg Novi; Berane dhe Tivari. Në Mal të Zi për momentin funksionojnë katër spitale për Covid-19. Në Tivar është spitali i cili mbulon tërë bregdetin e Malit të Zi, në Berane është spitali për pacientët nga veriu dhe krahas tyre është edhe Qendra Klinike Spitalore në Podgoricë dhe spitali i Nikshiqit.

Humbje të mëdha në fushën e turizmit

Mali i Zi varet kryesisht nga ekonomia turistike dhe kjo fushë ka përjetuar humbje të mëdha që llogariten deri në 500 milion euro. Kjo humbje erdhi për shkak se Mali i Zi në fund të qershorit të vitit të kaluar mbylli të gjitha udhëtimet me vatrat e koronavirusit.

Operatorët turistikë, pronarët e hoteleve dhe ata të sektorit privat druajnë se e njëjta gjë mund të përsëritet edhe gjatë sezonit turistik të këtij viti. Pasojat e mbylljes së vendit ndihen në të gjitha fushat dhe ata që po e përjetojnë më së shumti janë vetë qytetarët. Mbi 7000 vetë kanë mbetur pa vende pune dhe profesionet më të prekura janë ato të hotelerisë, të tregtisë, të ndërtimtarisë dhe të komunikacionit.

Qeveria e ish-kryeministrit, Dushko Markoviq miratoi tri paketa ndihmash për ekonominë, por ato ishin të pamjaftueshme për të përballuar krizën e shkaktuar nga pasojat e pandemisë. Edhe pse Mali i Zi një periudhë dy javore gjatë muajit qershor të vitit të kaluar u shpall si corona free destianation, fushata para zgjedhjeve parlamentare dhe thirrjet e kishës serbe ortodokse për protesta dhe liturgji nëpër rrugët e qyteteve bëri që numri i të prekurve me koronavirus të rritet nga dita në ditë. Pas zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit dhe humbjes së pushtetit pas tri dekadash të Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit Gjukanvoiq dhe partnerëve të koalicionit, partitë qëe fituan zgjedhjet shkarkuan tërësisht anëtarët e Shtabit Nacional për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, shfuqizuan masat e tij, dhe tani vepron një shtab krejtësisht në përbërje të re.

Vaksinat po vonojnë

Ajo që tani është aktuale në Mal të Zi është çështja e vaksinimit dhe siç duket Mali i Zi është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që ende është në bisedime me kompanitë farmaceutike për sigurimin e vaksinave. Ministria e Shëndetësisë akuzon pushtetin e mëparshëm për neglizhencë dhe vonesë. Ministrja e Shëndetësisë, Jelena Boronoviq Bojoviq, thotë se përparësi për Malin e Zi ka furnizimi përmes programit COVAX, por shteti po zhvillon bisedime të drejtë për drejta me kompanitë ruse dhe kineze. Edhe pse ministrja Bojoviq tha se vaksinat në Mal të Zi ka gjasa të mbërrijnë në fund të janarit respektivisht në fillim të muajit shkurt kjo gjë nuk u realizua. Ministria përkatëse ka refuzuar dy donacione vaksinash me shpjegimin se vaksinat duhet të kenë miratimin nga Agjencia Evropiane e Medikamenteve. Partitë që deri dje ishin në pushtet, thonë se vonesa me furnizim me vaksina është paaftësi e qeverisë së re dhe me skepticizëm shikojnë çdo veprim të saj për të frenuar dhe menaxhuar pasojat e koronavirusit.

Qeveria Krivokapiq miraton paketën IV të ndihmave për qytetarët dhe bizneset

Qeveria e kryeministrit Zdravko Krivokapiq miratoi së fundi paketën IV të ndihmave për ekonominë, bizneset, qytetarët që kanë mbetur pa punë dhe pensionistët me të ardhura minimale. Nga kjo paketë me vlerë 163 milion euro do të përfitojnë rreth 100 mijë qytetarë, respektivisht çdo i pesti banor i Malit të Zi . Sido që të jetë qytetarët e Malit të Zi edhe pse e kanë mirëpritur paketën e fundit të ndihmave, nuk janë optimistë se ajo mund të përmirësojë situatën ekonomike. Shpresa e vetme mbetet fillimi i vaksinimit, hapja e kufijve dhe rikthimi i turistëve vendas dhe të huaj.

LEXO EDHE:

Back to top button