Masa populiste anti-krizë: Një ndihmë – një votë! / Ademi: Pushteti me lojë të pistë parazgjedhore

Masa populiste anti-krizë: Një ndihmë – një votë! / Ademi: Pushteti me lojë të pistë parazgjedhore

Gazetar: Adnan Qaili

Miratimi i pakos së 9 të masave anti-krizë zgjoi reagime të shumta të njohësve të fushës. Madje kritikat më të mëdha vijnë në masat që proklamohen si risi të ju vijnë në ndihmë qytetarëve, kurse ato zbatohen që moti, si në rastin e kthimit të TVSH-ja IME nga 2,100 denarë. Analisti Visar Ademi tha se këto masa janë populiste dhe përkojnë me fushatën parazgjedhore, duke iu ofruar ndihma kategorive më të prekura, por që janë trup votues.

“Në qoftë se shikoni grupet e përfshira, aty keni studentë, pensionistë, persona që marrin ndihmë sociale dhe të gjithë ata që kanë të drejtë vote. Aty i gjen grupimin më të madh të mundshëm të trupit votues për një parti politike dhe kjo rezulton që të jetë një masë populiste, e cila do të ndikoj shumë në bilancin e zgjedhjeve të 2024, do bëj diferencën sa i përket zgjedhjeve. Nëse shikoni kohëzgjatjen e këtyre masave atëherë s’do mend që këto masa janë vetëm blerje votash dhe kohe për të arritur tek zgjedhjet dhe duke bërë ndryshimin përmes këtyre mekanizmave që ata i quajnë përkrahje, a në fakt janë blerje votash”, deklaroi Visar Ademi, Analist.

Nuk mbeti në heshtje as VMRO DPMNE-ja. Nga partia e Mickoskit thonë se pushteti po zhyt në borxhe tërë taksapaguesit për të ushqyer apetitet e elektoratit parazgjedhor për parlamentaret dhe presidencialet. Pakoja e masave të përgatitur nga qeveria e Kovaçevskit dhe Ahmetit sipas VMRO-së është kamuflazhe.

“Me këtë paketë masash, Qeveria e pranon zyrtarisht se ka varfëri enorme, se pensionistët dhe një numër i madh i familjeve janë sjellë në kufijtë e ekzistencës. Thelbi dhe çështja kryesore është se Qeveria shpenzon 2 miliardë euro për ndërtimin e korridoreve nëpër kompanitë e BDI-së dhe SDS-së, shpenzon miliona euro për gërmimin në TEC “Manastir” dhe kompanitë dhe bizneset e qeverisë punojnë në mënyrë perfektë, ndërsa këtej për popullin japin 500 dhe 1000 denarë për të ndihmuar. Ky ryshfet që kjo qeveri e quan ndihma prej 500 dhe 1000 denarë, nuk vlen asgjë kur inflacioni është dyshifror”, tha Ivica Tomovski, VMRO DPMNE.

Të gjitha masat do të hynë në fuqi nga 1 dhjetori kurse pagesat e para të shumë prej tyre do të bëhen në janar të 2024. Masat do të zgjasin nga 5 deri në 7 muaj. Sipas të dhënave të fundit, rreth 600 mijë qytetarë ose çdo i treti në vend, jeton në varfëri me vetëm 150 denarë në ditë. Në varfëri të skajshme me vetëm 1 euro në ditë mbijetojnë 80 mijë qytetarë të vendit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button