Gazetar: Avni Tahiri
Disa komuna ende janë të “zhytura” në mbeturina. Rreth kontejnerëve të stërmbushur janë krijuar deponi. Disa prej komunave kishin nisur pastrimin, por sërish ishte e pamundur të mblidheshin të gjitha mbetjet.
Qytetarët kanë frikë se situata e njëjtë i pret edhe pas zgjedhjeve.
“Pas zgjedhjeve mund të jetë edhe më keq. Ju e shihni, mbeturinat i shohim në rrugë, premtime parazgjedhore ka sa të duash por punë aspak, çfarë të them. Mua ma merr mendja se në fshat më në rregull është se këtu”, tha një qytetar.
“Deri në zgjedhje do të pastrohet e më pas do vazhdojnë me avazin e vjetër. Mendoni se do vazhdojnë me të vjetrën? Pse mendoni se më ndryshe do të jetë, unë nuk besoj. Tani është më i pa pastër, është fundi”, u shpreh një qytetar tjetër.
Për gjendjen e krijuar me mbeturinat në Shkup, nga Higjiena Komunale ditë më parë thanë se për shkak të masës së shtuar të mbeturinave ndodhë që të ketë vonesa në largimin e tyre por aktivitetet po shkojnë sipas planit operativ të paraparë.
E sa i përket pritjeve të qytetarëve se a do të zgjohen në një Shkup më të pastër, do të duhet të presin përfundimin e zgjedhjeve lokale./ Alsat.mk








