Më 6 gusht do të mbahet seanca konstituive të Kuvendit të Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet e qershorit të mbahet më 6 gusht. Haxhiu tha se është përgjegjësi e të gjitha partive parlamentare për themelimin e institucioneve të reja, duke shtuar se duhet të shmangen zgjedhjet e reja. Caktimi i datës për seancën konstituive vjen në kohën kur bisedimet për një marrëveshje të mundshme për krijimin e institucioneve mes partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë pezulluar.

“Duke qenë se ende nuk ekziston një dakordim politik për çështjen e presidentit kam vendosur që menjëherë pas certifikimit të mos e thërras me nguti seancën konstituive por të shfrytëzojë afatin që lejon kushtetuta për t’u krijuar partive politike hapësirën e nevojshme për dialog dhe ndërtimin e një konsensusi. Prandaj sot kam vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet me 6 gusht”, deklaroi Albulena Haxhiu, Ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës.

Afati i fundit kushtetues për seancën konstituive ishte 7 gushti. Për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re nevojiten 61 vota. Sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nga konstituimi i Kuvendit nis edhe periudha 60-ditore, gjatë së cilës deputetët e legjislaturës së re duhet të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon sërish në zgjedhje. Partia në pushtet, LVV-ja, sipas rezultatit të certifikuar i ka fituar 53 mandate. PDK i ka fituar 22 ulëse, LDK 18 ulëse dhe Aleanca shtatë ulëse. Partia e Kurtit, së bashku me partitë nga komunitetet pakicë joserbe i kanë numrat e nevojshme për këto dy procese. Por, për presidentin kërkohet një marrëveshje politike, pasi duhet prania e 80 deputetëve në dy rundet e para të votimit.

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Nëse Kosova mban sërish zgjedhje, atëherë ato do të ishin votimet e katërta parlamentare që nga shkurti i vitit të kaluar./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button