Merz propozon status të asocuar, BE: ndryshimet kushtetuese mbeten kyçe për RMV-në
Komisioni Eluropian përsëriti edhe një herë se ndryshimet kushtetuese mbeten elementi kyç që Maqedonia e Veriut të ecë para në procesin e integrimit në BE. Kështu tha sot zëdhënësi i Komisionit Mercier duke folur për letrën e kancelarit gjerman Merc dhe zgjerimin e BE-së
“Mendoj se ajo që është me të vërtetë e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut. Për të përparuar në rrugën e saj drejt BE-së, ka një element të rëndësishëm që duhet bërë, që janë ndryshimet kushtetuese, dhe ky është me të vërtetë elementi kryesor këtu që duhet të shohim për të ecur përpara në procesin e pranimit.” – Guillaume Mercier, Zëdhënësi i Komisionit Evropian.
Mercier tha se e kanë pranuar letrën e kancelarit gjerman Mertz përmes së cilës propozon status të vëzhguesit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe anëtar i asocuar për Ukrainën. Zëdhënësi i KE-së tha se është me rëndësi arritja e synimit për ta kompletuar BE-në me të gjitha vendet kandidate, të cilat prej shumë vjetësh po punojnë drejt anëtarësimit.
Në letrën e publikuar një ditë më parë, kancelari gjerman Merz, propozon për Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë qasje të privilegjuar në tregun e përbashkët evropian dhe lidhje më të afërta me institucionet evropiane në procesin e përditshëm të vendimmarrjes.
Tregu i Përbashkët Evropian është hapësirë, e përbërë kryesisht nga 27 vende anëtare të BE-së, që mundëson lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, pa rregullore kufitare ose tarifa doganore. Merz, po ashtu, propozon dhënien e statusit të vëzhguesit për vendet e Ballkanit Perëndimor në të gjitha institucionet relevante të BE-së si dhe mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta të KE-së ose PE-së me përfaqësues të rajonit, për çështje që lidhen drejtpërdrejt me të.
“Integrimi gradual mund të realizohet përmes ndërtimit të blloqeve që do të shërbenin si bazë për zbatimin e plotë të fushave përkatëse të politikave, dhe më pas do të shoqërohej me mbështetje më të madhe në zbatimin e ligjeve të BE-së. Përveç kësaj, mund ta avancojmë edhe integrimin institucional mbi bazën e progresit real. E gjithë kjo mund t’i afrojë ndjeshëm vendet kandidate me ne dhe të nxisë një ambicie të re për reforma të mëtejshme drejt anëtarësimit të plotë”, thuhet në letrën e kancelarit gjerman.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina janë kandidate për anëtarësim. Në anën tjetër, për Ukrainën, Merz propozon afrim të konsiderueshëm me BE-në dhe me institucionet e tij kryesore, “pa ndikuar në negociatat e vazhdueshme për anëtarësim, por duke e nxitur dhe mbështetur këtë proces”. Kreu i Qeverisë gjermane beson se këto propozime nuk kërkojnë ndryshime në kuadrin institucional dhe ligjor të Bashkimit Evropian, por vetëm një “marrëveshje të fortë politike”.
Alsat








