Meta: Në korrik të 2022 rikthehem te LSI

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në përfundim të detyrës së tij si president do të rikthehet në partinë që ai vetë themeloi. Pas humbjes së LSI-së, presidenti Meta njofton edhe të ardhmen e tij pas lënies së detyrës presidenciale. Duke e konsideruar humbjen në zgjedhje të LSI-së si tjetërsim të votave, presidenti Meta thekson se kjo ishte e pritshme, pasi nuk u morën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor.

“Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor. Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI-së dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e shqiptarëve”.

Përmes zëdhënësit Tedi Blushi, Meta falënderon Monika Kryemadhin për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore, që sipas tij mbifuqizuan pushtetin e kryeministrit.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta falënderon Kryetaren e LSI-së, znj.Monika Kryemadhi për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore, që e mbifuqizuan pushtetin e kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve.

Meta vlerëson fushatën e ndershme dhe model të LSI-së dhe sidomos rreth 110 mijë qytetarët, të cilët i rezistuan siç thuhet në kumtesë “presionit të mafies”.

LEXO EDHE:

Back to top button