Mexhiti: Ura e Bit Pazarit mund të prishet, ndërtimet pa leje janë në proces trajtimi
Gazetare: Melihate Rustemi
Ura për këmbësorë në Bit Pazar, e cila tashmë prej vitesh nuk shfrytëzohet nga qytetarët, mund të hiqet tërësisht. Kreu i Çairit, Izet Mexhiti, tha se komuna po shqyrton dy alternativa, vendosjen e semaforit ose rrënimin e urës.
“Jemi duke shqyrtuar dy opsione, opsioni më I mundshëm është vendosja e semaforit aty dhe opsioni tjetër është rrënimi I urës, nëse do të jetë pengesë ajo. Meqenëse nuk është në funksion të plotë, pra nuk shfrytëzohet nga qytetarët mund të jetë edhe opsion prishja e urës për ta rregulluar vendkalimin për shkak se ka nevojë. Ajo një kohë u mbyll mirëpo me kërkesë të Bit Pazarit ku ka shumë familje që sigurojnë ekzistencën është rikrijuar edhe vendkalimi që është aty, për interes të biznesit, për interes të pazarit”, tha Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.
Në pyetjet e gazetarëve për ndërtimet pa leje në Çair, Mexhiti tha se aksioni për largimin e tyre është në proces dhe se deri më tani është zgjidhur rasti i objektit të njohur si “Ali Tobako”, ndërsa rastet e tjera, sipas tij, janë duke u trajtuar. I pyetur nëse ky është rasti i vetëm i zgjidhur, Mexhiti ironizoi duke kërkuar nga gazetarët që fillimisht të interesohen për komunat që, sipas statistikave, kanë më shumë ndërtime pa leje se Komuna e Çairit.
“Është zgjidhur rasti i Ali Tobakos dhe rastet e tjera janë në proces. Kur jemi te ndërtimet pa leje, është mirë të përmenden edhe të dhënat statistikore, sipas të cilave Çairi renditet komuna e gjashtë në nivel të Qytetit të Shkupit dhe e dhjeta në nivel të shtetit për nga numri i ndërtimeve pa leje. Merrni informacione fillimisht për këto gjashtë komuna, e pastaj flisni për Çairin”, theksoi Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.
Përveç rastit të “Ali Tobakos”, në publik u denoncuan edhe disa raste të tjera, përfshirë mbindërtime në zonën e Çarshisë, disa objekte afariste si dhe akuza për objekte banimi të ndërtuara ose të shitura pa dokumentacion të plotë. Një pjesë e këtyre rasteve u denoncuan edhe nga ish kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ndërsa për një prej tyre Prokuroria hapi edhe procedurë hetimore. /Alsat.mk








