Opozita maqedonase nuk po gjen gjuhë të përbashkët lidhur me Kodin Zgjedhor

Gazetare: Albina Ramadani

Opozita maqedonase nuk po gjen gjuhë të përbashkët lidhur me Kodin Zgjedhor. Partia e Apasievit “E Majta” tentoi të ulë në bisedime socialdemokratët për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët, por nga LSDM refuzuan. “E Majta” akuzon partinë e Filipçes se nuk kanë një qëndrim të qartë për reformën zgjedhore dhe se e shmang debatin me teori konspirative.

“Gjatë gjithë debatit për Kodin Zgjedhor, LSDM nuk ndërtoi asnjë qëndrim të qartë politik për çështjet thelbësore. Në vend që të shpjegojë nëse është për një njësi zgjedhore, nëse çdo votë duhet të ketë vlerë të barabartë dhe nëse Maqedonia më në fund duhet të ketë një sistem zgjedhor më të drejtë, ajo vazhdimisht përpiqet ta reduktojë debatin në teori konspirative”, thanë nga E Majta.

  • Gjatë gjithë debatit, LSDM-ja nuk ndërtoi qëndrim
  • Nuk shpjeguan nëse janë për një njësi zgjedhore
  • LSDM e zbeh debatin me teori konspirative

Nga LSDM thonë se nëse VMRO-ja dhe Mickoski janë aq të fortë, pse kërkojnë një ligj që lejon manipulimin e votave nga diaspora.

“Nëse VMRO dhe Mickoski janë aq të fortë sa pretendojnë, pse këmbëngulin kaq shumë në një ligj që lejon vjedhjen e pakontrolluar të votave nga diaspora?”, theksuan nga LSDM.

  • Pse VMRO DPMNE-ja tenton t’i vjedhë votat nga diaspora?

Nga VMRO thonë se vonesat e opozitës janë të qëllimshme, pasi sipas tyre, ata i frikësohen zgjedhjeve. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas VMRO-së duhet të mundësojnë lehtësim të procesit të votimit për diasporën.

“VMRO mbetet e gatshme të pranojë menjëherë një marrëveshje midis partive opozitare, nëse kjo më në fund lejon votim më të lehtë për diasporën. Përgjegjësia nëse Maqedonia vazhdon me Kodin e vjetër Zgjedhor bie tërësisht mbi SDSM-në, Levicën dhe BDI-në”, tha Jovan Manasievski, VMRO-DPMNE. 

Nga BDI thonë se nuk kanë pasur ftesë nga “E Majta”; për takim lidhur me Kodin Zgjedhor.

“Nuk kemi dijeni se ka një ftesë nga Levica për ne, për BDI-në. Megjithatë, normalisht, si tani ashtu edhe gjithmonë, kemi qenë për dialog institucional dhe gjithëpërfshirës. Nëse do të merrnim një ftesë të tillë, sigurisht që ajo do të shqyrtohej në organet e partisë dhe do të merrej një vendim”, tha Arbana Pasholli, BDI.

Afati për miratimin e Kodit Zgjedhor skadon më 15 korrik./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button