Mickoski i kërkoi Varhejit ta respektojë qëndrimin e opozitës

Mickoski i kërkoi Varhejit ta respektojë qëndrimin e opozitës

Gazetare: Ajnur Bafqari

E respektoj qëndrimin e Varhejit, por shpresoj që edhe ai ta respektojë qëndrimin tim, pasi Maqedonia dhe populli maqedonas kanë dhënë shumë për vlerat evropiane.

Kështu deklaroi numri një i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski pas porosisë së komisionerit evropian për zgjerimin drejtuar opozitës.

“Dhe më në fund për qëndrimin e Varhejit, unë e respektoj qëndrimin e tij, por shpresoj që edhe ai ta respektoj qëndrimin tim, e ajo është që Maqedonia dhe populli maqedonas dhanë shumë për ato vlera evropiane…Me forcë tani është kontrabanduar tentimi për prekjen e identitetit maqedonas. Nëse të gjitha këto janë vlera evropiane, më falni por unë nuk dua ti ndaj këto vlera”, tha Mickoski.

Komisioneri i zgjerimit Oliver Varheji i bëri thirrje opozitës në Shkup të mos veprojë me emocione. Ai gjithashtu theksoi se zhvillimet në Kuvend gjatë debatit për konkluzionet, nuk ishin vlera evropiane.

“Shpresoj që prej tani, të gjitha partitë politike në vend, përfshirë opozitën do të punojnë për ardhmërinë evropiane dhe nuk do të fillojnë të punojnë gjëra kontroverse dhe emocione,  emocione që nuk do ta çojnë vendin përpara, emocione që nuk do të rezultojnë asgjë me rëndësi për vendin”, u shpreh Varhej.

Mickoski u shpreh i bindur se grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së nuk do të lejojë ndryshimin e Kushtetutës.

Ndërsa sa i përket referendumit theksoi se fokusi i tij do të jetë neni 5, paragrafi  4 i kornizës negociuese ku do të kyçen protokolli dhe marrëveshja bilaterale, ndërsa qytetarët do të duhet të përgjigjen nëse e pranojnë këtë korrnizë.

Referendumi do të jetë një ndër pikat e diskutimit në organet partiake të VMRO-DPMNE-së të enjten dhe të premten. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button