Ministria e Jashtme ka bërë përzgjedhjen e këshilltarëve ekonomik, por nuk zbulon emrat e tyre

Ministria e Jashtme ka përzgjedhur këshilltarët ekonomik përmes të cilëve vendi do ta revitalizojë diplomacinë ekonomike. Nuk dihet se cilët janë ata e as mënyra se si janë përzgjedhur. Të njëjtit me punë pritet të fillojnë në gjysmën e dytë të vitit 2021, ndërsa deri atëherë do të përfundojë trajnimi i tyre dhe targetimi i shteteve, ku do të dërgohen.

Grupi i Punës u krijua brenda tre ditëve nga miratimi i Konkluzionit të Qeverisë për riorganizimin e diplomacisë ekonomike, me qëllim të promovimit të interesave ekonomike kombëtare jashtë vendit. Mbajti takimin e tij të parë dhe po punon për ndryshimin e Planit Aksionar, i cili përmban të gjithë parametrat e nevojshëm për arritjen e Konkluzioneve të Qeverisë mbi riorganizimin e propozuar të diplomacisë ekonomike – njoftojnë nga Ministria e Jashtme.

Për opozitën ky projekt është marketing politik, nga i cili vendi nuk do të ketë asnjë dobi ekonomike, as promovim të produkteve vendase e aq më pak investime të huaja.

Duke pasur parasysh kapacitetin e aftësive, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në aspektin e menaxhimit politik edhe ky projekt do të mundohet të bëhet në kuadër të marketingut politik të tyre. Do të bëhen harxhime të mëdha, por konsiderojmë që edhe suksesi do të jetë i kushtëzuar, për faktin se është kohë pandemie dhe vështirë se mund të qarkullohet. Megjithatë konsiderojmë që një projekt i suksesshëm duhet të ketë ekspertë të mirëfilltë të lëmive të ndryshme, të cilët do të mund t’i analizonin të gjithë resurset”, deklaroi Skender Rexhepi, ASH AAA.

Ministri, Osmani po mundohet të lë gjurmë në Ministrinë për punë të jashtme dhe pjesë e përpjekjeve është edhe ky projekt për diplomacinë ekonomike, por vlerësoj se projekti ka më shumë efekt të, vetë-reklamimit sesa që ka përmbajtje në vetvete. Sepse ekonomia, investimet si në planin e brendshëm e veçanërisht në atë të jashtëm janë pika më e dobët e kësaj Qeveria. Prandaj, dhashtë Zoti të gaboj, nuk pres që ky projekt të sjellë diçka më shumë sesa tituj të vetë-reklamimit për ministrinë dhe Osmanin – tha Antonio Milloshovski, VMRO DPMNE.

Ndryshe, ish kryeministri, Nikolla Gruevski ishte i pari që promovoi metodën e tërheqjes së investimeve të huaja përmes promotorëve ekonomik. Nga viti 2008 e deri në vitin 2017, 33 promotorë ekonomik vendit i kushtuan 1,2 milion euro. LSDM-ja nga opozita i kishte kritikuar promotorët si dështim dhe i anuloi sapo erdhi në pushtet në vitin 2017. Gjithsesi në vitin 2019 tentoi t’i rikthente përmes Drejtorisë për Zona të lira e këtë vit po tenton përmes diplomacisë ekonomike.

Anesa Salihu

 

LEXO EDHE:

Back to top button