Mjekët shpresojnë në uljen e numrit të pacientëve të prekur nga gripi, pas reshjeve të borës

Mjekët shpresojnë në uljen e numrit të pacientëve të prekur nga gripi, pas reshjeve të borës

Gazetare: Linda Ebibi

Reshjet e borës pritet të ulin numrin e pacientëve me grip, që së fundmi është përhapur shumë. Mjekët thonë se reshjet e borës kanë pastruar cilësinë e ndotjes së ajrit, me çka ka ndikuar që pacientët, sidomos të atyre që kanë probleme me sëmundje të mushkërive, të jenë në gjendje më të mirë shëndetësore, ndërsa presin që të bie edhe fluksi i pacientëve me virozë sezonale në përgjithësi.

“Ajri deri para disa ditëve ishte shumë i ndotur dhe kishim pacientë me simptome me intensitet pak më të lartë me frymëmarrje më të rënduar dhe tani që ka rënë borë, pritet që simptomat të jenë më të lehta dhe gripi të marrë kthesë negative, për arsye se ajri i pastër e ulë intensitetin e paraqitjes se gripit dhe shpërndarjes së tij”, tha Shpejtim Rexhepi, mjek amë.

Gjatë periudhës së kaluar, mjeku Rexhepi thotë se kanë pasur shumë vizita dhe kontrolle të pacientëve të prekur nga gripi, ndërsa më të shpeshtë kanë qenë mosha e shtyrë dhe fëmijët, të cilëve u është dashur një periudhë prej 5 deri në dy javë për shërim.

“Numri i pacientëve ka qenë i shtuar këtë periudhë. Kemi pas shumë vizita dhe shumë kontrolle prej pacientëve të cilët kanë ardhur me simptome të gripit sezonal. Janë të gjitha moshat prezente, megjithatë theks të veçantë kanë grup mosha e shtyrë dhe fëmijët e vegjël”, shtoi ai.

Simptomat më të shumta kanë qenë temperaturë e latë, dhimbje fyti, ethe, humbje oreksi, dhimbje të nyjeve, dhe frymëmarrje e rënduar. Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar në stinën e dimrit, qytetarët të evitojnë daljet pa nevojë, ushqim dhe lëngje të pasur me vitamine, dhe veshje adekuate për të ftohtin./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button