Mungesa e kuadrit në çerdhe, Trençevska: Kuadër kemi, mungojnë objektet

Mungesa e kuadrit në çerdhe, Trençevska: Kuadër kemi, mungojnë objektet

Ministrja e punës dhe politikë sociale, Jovana Trençevska mohon që në çerdhet e vendit të ketë mungesë kuadri, pavarësisht se këto ankesa u bën nga drejtuesit e disa çerdheve të vendit. Në emisionin “Magazina ekonomike”, Trençevska tha se kuadër të mjaftueshëm ka çdo kund por ka mungesë të objekteve.

“Nuk ka mungesë të kuadrit profesional në kopshte, kemi mungesë të kopshteve, veçanërisht në Shkup, ku kemi lista të gjatë të pritjes në disa komuna dhe prandaj përmes programeve kapitale për mbrojtje shëndetësore, investojmë pikërisht në komunat në Shkup ku kemi lista të gjata të pritjes. Kuadër, ne në pesë vitet e fundit kemi punësuar mbi tre mijë përkëdhelëse dhe edukatore të reja në kopshtet për fëmijë. Ne në dhjetor dhamë pëlqime dhe shpalljet janë realizuar ndoshta për mbi 150 punësime të reja, në kopshtet për fëmijë”, u shpreh Jovana Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Por në një prononcim për Alsat nga çerdhja “Rinia” në Tetovë thonë se kanë mungesë të madhe të kuadrit që që ka ndikuar edhe në dhënien e shërbimeve të duhura për fëmijët.

“Nga qershori i vitit 2022 e deri në dhjetor ne gjithsejtë kemi dorëzuar 37 kërkesa për punësime. 6 nga ato kanë qenë vende të lira në bazë të sistematizimit, pensionim apo ndërprerje dhe 31 kemi kërkuar pëlqime nga ministria vetëm për leje për punësime ku buxhetin e ka siguruar komuna e Tetovës. Kemi marr përgjigje pozitive vetëm për tre punësime dhe përgjigjen e kemi marr në 28 dhjetor të vitit kalendarik 2022”, tha Fatlinda Jaja, drejtoreshë e çerdheve “Rinia” Tetovë.

Çerdhja e fëmijëve “Rinia” në Tetovë, në të gjitha objektet e saja ka në përkujdesje mbi 1500 fëmijë. Për shkak të mungesës së stafit, mbi 150 fëmijë presin në listë për tu regjistruar. Përveç mungesës së kuadrit, shumë objekte çerdhesh ballafaqohen me numër të stërngarkuar të fëmijëve dhe me lista të gjata pritjeje, si Çairi, Aerodromi, Kumanova e shumë të tjera. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button