Naser Ziberi mori detyrën si Avokat i Popullit, ASH-AAA ngrenë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese

Naser Ziberi e bëri betimin në Kuvend për pozitën e tij të re si Avokat i Popullit. Pas betimit, Ziberi deklaroi se në fokus do ta ketë kthimin e besimit të qytetarëve tek ky institucion. Ai u shpreh se detyrën e marrë do ta ushtroj në mënyrë profesionale dhe nuk do të jetë në shërbim të politikës.

Zgjedhja ime për Avokat të Popullit nuk është asnjëfarë kompensimi për të kaluarën time, përkundrazi, angazhimet e mia në të gjitha fushat e mëhershme janë garanci e plotë se do të jenë në funksion të ushtrimit ligjor dhe Kushtetues të detyrës Avokat i popullit, një funksion jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetarët e vendit. // Si vrojtues i ngjarjeve politike kam qen kritik kur është dashur që të kritikohet, kam qenë mbështetës kur është dashur të përkrah vendime të caktuara dhe kjo më bën kredibil që të mos jem servis i pushtetit por i qytetarëve – deklaroi Naser Ziber, Avokat i Popullit.

Megjithatë në ditën e parë si Avokat i Popullit, Ziberi u prit me reagime të ashpra nga opozita shqiptare. Forumi Rinor i ASH-së, vendosi pllakate simbolike ku Avokatin e Popullit e riemëruan në Avokati i BDI-së.

Është fakt që Naser Ziberi nuk është i pavarur dhe i mëvetësishëm, prandaj ai nuk do të mund ti mbrojë të drejtat e qytetarëve karshi këtij pushteti, që do të thotë ai nuk është dhe asnjëherë nuk mund të jetë avokat i popullit. Prandaj ne sot në ditën e inaugurimit të tij, në mënyrë simbolike kemi vendosur që zyrën e avokatit të popullit ta riemërojmë ashtu si e meriton dhe ashtu si me të vërtetë do të jetë kjo zyrë, zyra e avokatit të BDI-së apo të Qeverisë – tha Liridona Emini, Aleanca për Shqiptarët.

Opozita ASH-AAA po ashtu dorëzoi edhe iniciativë për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Naser Ziberit si Avokat i Popullit. Avokati Abidin Abduli tha se në iniciativë thirren në nenin 3 të Ligjit për Avokatin e Popullit, i cili thotë se avokati i popullit është i pavarur në funksionimin e tij.

Qytetarët të cilët kanë nevojë ti drejtohen Avokatit të popullit, zakonisht ankesat e tyre janë kundër institucioneve shtetërore. Duke pasur parasysh se i njëjti ka marrë pjesë në kampanjë, bashkë funskionarët e BDI-së, lind pyetja se i njëjti si do ti marrë në shqyrtim lëndët e qytetarëve kundër institucioneve që drejtohen nga ministra e drejtor të kësaj partie politike  u shpreh Abidin Abduli, Avokat.

Ziberi javën e kaluar u zgjodh në Kuvend Avokat i Popullit me mbështetje vetëm të partive në pushtet.

Mefail Ismaili

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button