Nasim Haradinaj paraqitet në sallën e gjyqit në Hagë
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj është paraqitur në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Kjo është seanca e dytë e Gjykatës Speciale, ndërsa Haradinaj po paraqitet për herë të parë si i dyshuar për pengim të drejtësisë.
Haradinaj u arrestua më 25 shtator në Kosovë, në bazë të një fletarrestimi të Dhomave të Specializuara.
Sipas Speciales, ai dyshohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Nasim Haradinaj bashkë me udhëheqësit e OVL-UÇK, përmes konferencave për media, kishin deklaruar që në zyrat një person i panjohur ka sjellë dokumente, që siç kanë deklaruar ata, janë dosje që rrjedhin nga Gjykata Speciale.
Lidhur me këtë, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 25 shtator arrestoi kryetarin dhe nënkryetarin e kësaj organizate të cilët menjëherë u transferuan në Hagë.
Pas Haradinajt, para gjyqit do të dalë edhe kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, seanca për të cilin do të mbahet këtë të enjte më 1 tetor.