Ndërpritet procedura disiplinore kundër kryetares së Supremes, Besa Ademi

Ndërpritet procedura disiplinore kundër kryetares së Supremes, Besa Ademi

Gazetar: Adrian Kerimi

Këshilli Gjyqësor ndërpreu procedurën disiplinore kundër kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi. Me 7 vota për dhe 4 vota kundër, procedura e iniciuar në muajin nëntor, u ndërpre.

Para vendimit për procedurën u shqyrtua raporti i komisionit. Anëtarët diskutuan mbi përmbajtjen e tij dhe propozuan plotësimin, duke u thirrur në Ligjin për Këshillin Gjyqësor. Por edhe kjo nismë nuk kaloi. Shumica e anëtarëve votuan kundër plotësimit të raportit, gjë që do të zvarriste vendimin për ndërprerjen ose jo të procedurës të paktën edhe për 15 ditë të tjera.

Një pjesë e anëtarëve ishte i mendimit që krahas kërkesës për shkarkim si masë ekstreme, këshilli të marrë vendim për vërejtje ndaj kryetares së Supremes. Por një propozim i tillë u kundërshtua nga anëtarët gjykatës të cilët vlerësuan se do ishte jo serioze dhe qesharake që ndaj kryetares së gjykatës më të lartë në vend të jepet vërejte.

Propozuesi i nismës, anëtari Milazim Mustafa nuk ishte prezent në sallë. Në fillim të mbledhjes u paraqit, por në pikën kundër Besa Ademit u largua nga salla me arsyetimin se nuk ka të drejtë vote ndaj asnjë vendimi për shkak se është në cilësinë e propozuesit. Mustafa gjatë seancës së komisionit për vërtetimin e përgjegjësisë kishte deklaruar dhe shtruar në kërkesën e tij dy pika në të cilat bazonte nismën: mungesa e Ademit në mbledhjet e këshillit dhe denoncimi i presioneve politike sipas tij në adresë të gabuar. Ai madje i ishte kërcënuar me burg kryetares së Supremes, duke i cituar dispozitat ligjore të cilat mund ta çojnë atë në përgjegjësi.

Ditë më parë ambasadori i Holandës, Dirk Jan Kop dhe ai i BE-së, Dejvid Gir në Shkup, takuan Vesna Damevan për të diskutuar mbi zhvillimet në këshill dhe rikthimin e saj në krye të këtij organi pas vendimit të Gjykatës Administrative. Vizita e tyre duket se reflektoi tek anëtarët e këshillit të cilët në momentin e fundit vendosën që ndaj Ademit të mos ketë masa disiplinore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button