Ndryshimet kushtetuese, përplasen VMRO e Xhaferi

Ndryshimet kushtetuese, përplasen VMRO e Xhaferi

Gazetare: Fatlume Dervishi

VMRO-DPMNE-ja akuzon kreun e Kuvendit Talat Xhaferi se ka shkelur procedurën e caktuar me Rregullore për ndryshimet kushtetuese. Sipas tyre, Xhaferi s’ka pasur të drejtë ta ndërpresë seancën por është dashur ta vendosë nismën në votim.

“Talat Xhaferi me vetëdije shkel Rregulloren për punën e Kuvendit që t’i mundësojë BDI-së dh LSDM-së të mbesin në pushtet dhe më gjatë. Xhaferi është vendosur në rolin e shpëtuesit të kolltukëve të pushtetit duke shkelur aktet juridike dhe procedurat. Xhaferi është i vetëdijshëm se kurdo që të vendosen në votim ndryshimet kushtetuese ata do të dështojnë. Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së nuk do t’i nënshtrohet asnjëfarë presioni. Koha është për zgjedhje. Mbetet përgjegjësia jonë që të mbrojmë zërin e qytetarëve,” tha Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

Xhaferi para mediave sqaroi se akuzat vinë me qëllim për të manipuluar publikun, se opozita i referohet një kreu tjetër nga rregullorja dhe se ka pasur raste të ngjashme të ndërprerjes së seancës edhe në të kaluarën, deri sa të krijohen kushtet për votim. Ai citoi nenin 81 të cilit thotë se i është referuar gjatë kryesimit të seancës.

“Kryetari i Kuvendit mundet ta ndërpresë seancën nëse nuk ka shumicë të nevojshme deputetësh për vendimmarrje dhe në raste të tjera kur të vlerësojë se kjo është e domosdoshme. Manipulimi me publikun, gjegjësisht tendenca për të manipuluar me publikun është evidente dhe për këtë arsye e ndjeja për nevojë dhe për obligim të sqarohem,” deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Xhaferi thotë se kohën për vazhdimin e seancës e cakton kryetari i Kuvendit kur të krijohen kushtet për votim. Tani, sipas tij, vijon faza e njoftimit të deputetëve për mënyrën e votimit dhe mënyrën e vendimmarrjes në procedurën për ndryshimet kushtetuese.

Të premten e kaluar Kuvendi filloi seancën plenare për ndryshimet kushtetuese. Seanca u ndërpre pas shterjes së fjalimeve të 9 deputetëve kurse votimi duhet të bëhet në periudhën që vjen.  /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button