Në Shkup çmimi banesave arrin “në qiell”

Në Shkup çmimi banesave arrin “në qiell”

Gazetar: Adnan Qaili

Ata që duan të blejnë një banesë në kryeqytet nuk e kanë qëlluar kohën, ngaqë çmimet e pronave të patundshme kanë arritur majat. Në qendër të Shkupit një m2 në objekte të reja shkon në 2 mijë euro, ndërsa jo më larg se në lagjet përreth çmimet nga 900 euro sa ishin para një viti, tani janë mbi 1,350.

Ekspansioni ndërtimor në Shkup nuk kursen asnjë pëllëmbë tokë. Imigrimi në kryeqytet nga i gjithë vendi ka bërë që të çoroditen çmimet duke tejkaluar çdo parametër të cilësisë, madhësisë dhe lokacionit.

“Në një nga lagjet më të dendura të Shkupit ndërtimet e larta nuk kanë fund, njëra posa u themelua sot. Për të cilat, qytetarët nëse duan të blejnë do të paguajnë diçka më tepër pasi që rritja e kamatave është e pashmangshme pas vitit të ri. Por, sipas ekspertëve në rast se bie kërkesa e blerësve për patundshmëri çmimet e të njëjtave do të stabilizohen”, raporton Adnan Qaili, gazetar.

Njohësit e fushës e kanë një sqarim përse qytetarët investojnë në patundshmëri në kohë krize. Profesori universitar tha se rritja kërkesës ka bërë që ndërtuesit të shfrytëzojnë rastin të rrisin çmimet e banesave. Nga ana tjetër ekonomisti Borçe Trenkovski, tha se me rritjen graduale të kamatave do të ndikojë në uljen e inflacionit.

“Me këto rritje do të bëhet qasje më e shtrenjtë për të financuar në patundshmëri, por kjo vlen për të gjitha kreditë, kur ka edhe ridefinim të kamatave fikse. Disa kanë dhënë për 5-10 vjet kamata fikse, tani ato do jenë variabile dhe më të larta saqë ata që se kanë patjetër të investojnë në patundshmëri do ta shtyjnë. Kuptohet edhe situata ekonomike është e pafavorshme, likuiditeti zvogëlohet në banka dhe ata do jenë më të kujdesshëm ku do ti plasojnë financat e tyre, kështu që pritet periudhën në vazhdim të ulet kërkesa, dhe pritet të ndikoj në uljen e çmimeve. Goditjen më të fortë në këtë situatë do ta kenë kreditë e reja, të cilat do të merren me norma më të larta të interesit që do të bëjnë presion në ulje të çmimeve”, tha Borçe Trenovski, profesor i ekonomisë.

Në këtë kohë krize kur investitorët po thirren në rritjen e kostove të materialeve ndërtuese dhe fuqisë punëtore, ndërhynë Banka Popullore për të stabilizuar tregun me rritjen e normave të interesit të kredive. Ata thonë se ruajtja e stabilitetit të çmimeve është qëllimi kryesor, i cili arrihet përmes strategjisë monetare për ruajtjen e qëndrueshme të kursit të denarit në raport me tregun devizor.

“Bankat qendrore në mbarë botën po shtrëngojnë politikën monetare në përgjigje të normave të larta të inflacionit afatgjatë, me qëllim të uljes së presionet nga llogaritja e kostove të ardhshme të mundshme si rezultat i inflacionit të pritshëm nga subjektet ekonomike, por edhe duke kufizuar kërkesën shtesë, e cila mund të nxisë edhe inflacionin. Me projeksionet vjeshtore të Bankës Popullore, ne vlerësuam një inflacion mesatar në vitin 2022 prej 14.3%. Së bashku me masat e marra dhe efektet e shtrëngimit gradual të politikës monetare, në vitin 2023 inflacioni parashikohet të ngadalësohet në rreth 9% në bazë vjetore”, thonë nga Banka Popullore e RMV-së.

Sipas të dhënave, shtetasit tanë kanë 1,1 miliard euro kredi aktive të investuara për patundshmëri. 70% e këtyre kredive janë me kamata variabile. Kërkesa për blerje të patundshmërive pritet të ulet pas vitit ri dhe si rrjedhojë të ulen dhe çmimet. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button