Nën kontroll shumica e zjarreve në Turqi! Zjarre aktive në Shqipëri, Itali dhe Greqi

Mbi 100 vatra të zjarrit në Turqi janë vënë nën kontroll, thanë të dielën zyrtarët. Ministri për Pyje dhe Agrikulturë, Bekir Pakdemirli, ka shkruar në Twitter se pesë vatra zjarri janë ende aktive në destinacionet turistike Antali dhe Mugla, derisa 107 vatra të tjera zjarri janë “nën kontroll”. Zjarret në Antali janë aktive në qarqet Manavgat dhe Gundogmus. Ndërkaq, në Mugla, zjarre ka në Marmara, Koycegiz dhe Milas. Policia ka përdorur topa uji që zakonisht përdoren për të shpërndarë njerëzit gjatë protestave – për të ndihmuar helikopterët dhe zjarrfikësit në Mugla për të shuar zjarret. Turistët u evakuuan të shtunën nga shumë hotele në qarkun Bodrum të Muglas, teksa zjarret u përhapën në pyjet përreth. Ministri Pakdemirli tha se zjarret në Bodrum janë vënë nën kontroll. Nga zjarret në Turqi, që nisën të mërkurën, kanë vdekur gjashtë persona.

Zjarre aktive edhe në Shqipëri. Situata nga zjarret në rrethin e Vlorës vijon të jetë shumë shqetësuese teksa në Karaburun edhe sot në ditën e 6-të ende zjarri nuk është shuar.

Për shkak të terrenit të thyer dhe malor shuarja e tyre është shumë e vështirë, madje e pamundur. Zjarri në Karaburun rrezikon të përparojë në drejtim të zonave të banuara në Dukat Fushë, pranë lagjes “Kanal”. Aktualisht një tjetër vatër zjarri është regjistruar në Mamurras në lagjen Demokracia, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me pisha.

Gjithashtu zjarri është përhapur edhe në një zonë tjetër me pisha në fshatin Shpërdhet. Shkaqet e zjarrit janë ende të paqarta, ndërsa zjarrfikësit e Kurbinit kanë ndërhyrë për të bërë të mundur neutralizimin e vatrave të zjarrit.

Pas kërkesës nga rajoni Sicilian, për të përballuar zjarret e mëdha që kanë përfshirë ishullin, kryeministri italian Mario Draghin u detyrua të nënshkruajë një dekret për mobilizimin kombëtar të sistemit të mbrojtjes civile. Departamenti tani po punon për të koordinuar dërgimin e vullnetarëve dhe organizatave kombëtare, të cilët do të bashkëpunojnë për shuarjen e zjarrit. Siçilia po digjet prej disa ditësh nga dhjetëra vatra zjarresh për shkak edhe të temperaturave të larta që kanë arritur deri në 40 gradë si dhe erës që favorizon flakët. Sipas lajmeve në mediat lokale, si rezultat i zjarreve që shpërthyen në pika të ndryshme të ishujve të Sicilisë dhe Sardenjës si dhe të rajonit të Kalabrisë, janë shkrumbuar  mijëra hektarë tokë. Vatra të zjarrit janë regjistruar edhe në disa rajone të Greqisë.

Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button