Nga 1 janari, shtrenjtohet rryma

Nga 1 janari, shtrenjtohet rryma

Gazetar: Angell Dimovski

Nga 1 janari, qytetarët do të paguajnë rrymë më të shtrenjtë nga 2,45% deri në 3,84%. Rritja më e madhe vërehet tek blloku i tretë dhe i katërt. Qytetarët nga blloku i parë do të paguajnë energji më të shtrenjtë për 2,45%, nga blloku i dytë për 2,87%, ndërsa rritja më e madhe është tek blloku i tretë me 3,32% dhe blloku i katërt me 3,84%. Rritje ka edhe tek tarifa e lirë për 2,5%. Rritja e çmimit është nga 50 deri në 900 denarë.

“Për një amvisëri që ka konsum në bllokun 1 dhe bllokun 2, pra në bllokun e parë 210 kilovat orë, në bllokun e dytë 420 kilovat orë dhe në tarifën e lirë 682 kilovat orë, aty fatura mujore rritet për 70 denarë. Për amvisëritë që kanë konsum në bllokun e parë, të dytë dhe të tretë, e të tilla janë 1,73%, fatura mujore do të rritet për 2,79 për qind ose 380 denarë. Për amvisëritë që kanë konsum në bllokun e parë, të dytë dhe në bllokun e katërt, këto janë vetëm 0,55% e amvisërive ose 4400, fatura do të rritet për 3,22% ose diku rreth 900 denarë”, u shpreh Marko Bislimovski – kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë.

Në lidhje me kërkesën e EMV-së për shpalljen e gjendjes së krizës në tregun e energjisë elektrike, për shkak të vështirësive në furnizimin me energjente si pasojë e bllokadave të përditshme të bujqve grekë, nga KRRE thonë se janë të njoftuar me situatën dhe se pa sigurimin me kohë të mazutit, prodhimi i energjisë elektrike nuk mund të zhvillohet pa pengesa.

“Ky mazut përdoret në procesin teknologjik në termocentralin e Manastirit dhe në termocentralin e Oslomesë për prodhimin e energjisë elektrike, duke pasur parasysh se cilësia e qymyrit që e kemi është më e dobët, gjithashtu edhe qymyr importohet në vetë procesin teknologjik. Është e zakonshme të përdoret më shumë mazut dhe kur i analizoni 10 deri në 15 vitet e fundit në Maqedoni në lidhje me furnizimin me mazut për nevojat e termocentralit të Manastirit dhe të Oslomesë, në vitet kur kemi nxjerrë qymyr cilësor, konsumi i mazutit ka qenë absolutisht më i vogël. Për të prodhuar energji termocentralet duhet të sigurohet mazut”, tha Marko Bislimovski – kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë.

Praktika ndër vite tregon se çdo rritje e çmimit të energjisë elektrike çon në shtrenjtim jo vetëm të produkteve ushqimore dhe veshjeve, por edhe të produkteve dhe shërbimeve të tjera, pasi energjia elektrike është e domosdoshme në procesin e prodhimit dhe funksionimit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button