Ngrihet aktakuzë për sulmin terrorist në Banjskë
Ngrihet aktakuzë për sulmin terrorist në Banjskë
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq për sulmin terrorist në Banjskë. Të përfshirët kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe pastrimi i parave.
“Duke u mbështetur në dyshimet e mirë bazuara sot kemi ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast. Për 45 të pandehurit ekziston dyshimi kanë kryer vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin”, deklaroi Blerim Isufaj, kryeprokuror i Speciales.
“Në mesin e të akuzuarve kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Millan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, tha Naim Abazi, Pprokuror i rastit.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë. Autoritetet në Kosovë fajësuan udhëheqjen e shtetit serb për organizimin e, siç e cilësuan, sulmit terrorist, por ajo e mohoi përfshirjen. Pesë ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë për të e mori Radoiçiq, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi. /Alsat.mk