Nisin projektet për kanalizim dhe ujësjellës në Llaskarcë, bashkëpunim mes Komunës së Sarajit dhe dy ministrive
Nisin projektet për kanalizim dhe ujësjellës në Llaskarcë, bashkëpunim mes Komunës së Sarajit dhe dy ministrive
Gazetare: Ajnur Bafqari
Fillojnë punimet për ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore dhe rrugore në fshatin Llaskarcë të komunës së Sarajit. Bëhet fjalë për ndërtimin e kanalizimit atmosferik, ujësjellësin dhe rregullimin e rrugëve që mbulohen me rreth 243 milion denarë apo rreth 4 milion euro, para të siguruara nga thirrja e dytë e kredisë hungareze.
“Është projekt i cili garanton zhvillim modern të infrastrukturës në këtë vendbanim dhe zhvillim lokal po të këtij vendbanimi”, tha Muhamed Elmazi, Kryetar i Komunës së Sarajit.
Pjesë e projekteve janë ministria e transportit me 136 milion denarë, ajo e mjedisit me 85 milion dhe komuna e Sarajit me 22 milion denarë.
“Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nga thirrja e dytë e kreditit hungarez ka siguruar mbi 85 milion denarë, për të realizuar këtë pjesë të projektit, sepse siç theksoi edhe kryetari i komunës, bëhet fjalë për disa projekte që sot ne fillojmë t’i realizojmë”, u shpreh Muhamed Hoxha, Ministër i Ekologjisë.
“Ky projekt ka të bëjë me rikonstruimin e disa rrugëve brenda këtij fshati, të cilat në gjatësi totalisht përfshijnë 4 kilometra dhe janë me vlerë prej 2 milion euro”, tha Kaltrina Zekolli Shaqiri, zv ministre e transportit dhe lidhjeve.
Përfaqësuesit e pushtetit qendror thanë se në bashkëpunim me pushtetin lokal do të realizohen edhe projekte të tjera në këtë Komunë./ Alsat.mk








