Prokuroria Themelore Publike Kumanovë ka ngritur aktakuzë kundër një 57 vjeçari nga Kumanova për veprën penale “Vrasje”, shkruan Alsat.
I pandehuri akuzohet se ka nxitur me qëllim dy persona për të vrarë tre persona të tjerë. Personi në fjalë dëshironte të hakmerrej për vdekjen e vajzës së tij, e cila humbi jetën në një aksident trafiku teksa po udhëtonte me një automjet si pasagjere. Vrasja e urdhëruar nga i pandehuri do të kryhej ndaj dy personave që ndodheshin në automjet bashkë me vajzën e tij në momentin e aksidentit, si shofer dhe pasagjer, si dhe ndaj babait të shoferit.
“Për kryerjen e krimit, i pandehuri ka përdorur një borxh të mëparshëm parash që ia ka dhënë hua njërit prej kërkuesve, të dëmtuar në këtë rast. Përkatësisht, i pandehuri të dëmtuarit i ka dhënë hua 50.000 euro, në të cilën shumë vazhdimisht ka grumbulluar kamatë, me çka borxhi është rritur në shumë prej 80.000 euro. Duke përfituar nga fakti se i dëmtuari i kishte borxh, i pandehuri në periudhën nga prilli deri në gusht 2021, në lokacione të ndryshme në Kumanovë, i propozoi të dëmtuarit që ti falte borxhin dhe ti jepte edhe 40 mijë të tjera, megjithatë në këmbim kërkoi që t’u merrnin jetën tre personave. Kjo ofertë e tij është refuzuar kategorikisht, dhe rasti është denoncuar në polici”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike-Kumanovë.
Krahas aktakuzës, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Kumanovë, ka dorëzuar propozim të veçantë gjykatës kompetente për vazhdimin e masës së paraburgimit për të pandehurin, duke pasur parasysh se rrethanat për të cilat është caktuar paraburgimi ende ekzistojnë, ekziston rreziku i arratisjes dhe rreziku i përsëritjes dhe përfundimit të veprës penale.








