Një ekip paleontologësh në Sahara zbuluan një fosil të një dinosauri që ushqehej me peshq
Një ekip paleontologësh ka zbuluar një dinosaur peshkngrënës thellë në shkretëtirën e Saharasë në Niger, i njohur si Spinosaurus mirabilis, një nga mishngrënësit më të mëdhenj që ka ecur ndonjëherë në Tokë.
Shkencëtarët zbuluan fosilin në një vend të largët në Jenegbi në Nigerin verior, raportoi Reuters. Paul Sereno, një paleontolog në Universitetin e Çikagos dhe udhëheqës i studimit, tha se udhëtimi i mundimshëm tre-ditor drejt vendit në zemër të shkretëtirës ia vlejti me zbulimin e fosilit të çmuar.

“Çdo zhgënjim apo lodhje nga ky udhëtim i gjatë u zhduk menjëherë sapo mbërritëm dhe filluam të zbulonim fosile të reja”, tha paleontologu Daniel Vidal i Universitetit të Çikagos.
Ai shtoi se zona përmban zona të mëdha me shkëmbinj të rrethuar nga duna që shfaqen në imazhet satelitore si një arkipelag ishullor i rrethuar nga një det dunash, duke bërë që vendi të quhet “arkipelagu i spinosaurëve”.

“Këta shkëmbinj janë gur ranor shumë i hollë dhe i butë që është pothuajse si rëra e ngjeshur e plazhit dhe është veçanërisht i pasur me fosile vertebrorësh, veçanërisht dinosaurë. Aq i pasur saqë gjetëm më shumë se njëqind vende fosile në më pak se dy javë punë në terren”, shpjegoi Vidal, raportoi Tanjug. Studiuesit gërmuan fosile të individëve të shumtë të Spinosaurus mirabilis dhe mbetjet e dinosaurëve të tjerë të ndryshëm që janë më shumë se 95 milionë vjeç.








