Një kopsht zoologjik në Finlandë po i kthen pandat gjigante në Kinë, shkak barra financiare
Një kopsht zoologjik në Finlandë po i kthen pandat gjigante në Kinë, shkak barra financiare
Një kopsht zoologjik në Finlandë ka rënë dakord me autoritetet kineze për t’i kthyer dy panda gjigante të huazuara nga Kina, më tepër se tetë vjet para afatit, sepse është bërë shumë e shtrenjtë mirëmbajtja e objektit pas rënies së vizitorëve, raporton agjencia “AP”.
Kopshti zoologjik privat “Ahtari” në Finlandën, që gjendet rreth 330 kilometra në veri të Helsinkit, ka njoftuar në Facebook se pandat “Lumi” dhe “Pyry” do të kthehen “para kohe” në Kinë më vonë këtë vit.
Pandat ishin dhuruar nga Kina për shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Finlandës më 2017, dhe supozohej që të qëndronin deri në vitin 2033.
Kopshti zoologjik kishte përjetuar një sërë sfidash, që ndikuan në rënien e vizitorëve, duke nisur nga pandemia COVID-19 e deri te konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës dhe rritjes së inflacionit.
Marrëveshja e pandave mes Helsinkit dhe Pekinit, një marrëveshje huaje 15-vjeçare, ishte finalizuar në prill të vitit 2017 mes presidentëve të vendit atëbotë. Pandat arritën në Finlandë në janar të vitit 2018.
Kopshti zoologjik Ahtari, i specializuar në kafshët tipike të Evropës veriore si arinj, rrëqebuj dhe ujqër, ndërtoi një aneks të veçantë me panda me një kosto prej 8 milionë euro me shpresën se do të joshte më shumë vizitorë.
Mirëmbajtja e dy pandave përfshirë edhe pagesa e një tarife për Kinën, i kushtonte kopshtit zoologjik rreth 1.5 milionë euro në vit. Bambuja gjethet e të cilave i hanë pandat gjigante u soll nga Holanda.
Ambasada e Kinës në Helsinki ka thënë për mediat finlandeze se Pekini ishte përpjekur të ndihmonte Ahtarin për t’i zgjidhur vështirësitë e tij financiare, duke kërkuar, ndër të tjera, nga kompanitë kineze të bënin donacione për kopshtin zoologjik.
Megjithatë, rënia e numrit të vizitorëve e kombinuar me ndryshime drastike në mjedisin ekonomik ishin barrë tepër e rëndë për t’u përballur për kopshtin e vogël zoologjik finlandez. Çifti i pandave do të jetë në karantinë njëmujore në fund të tetorit para se të dërgohet në Kinë.
Finlanda, një vend me 5.6 milionë banorë, ishte ndër të parat perëndimore që vendosi lidhje politike me Kinën, në vitin 1950.