Një muaj pas zgjedhjeve në Kosovë, Komisioni Qendror ka certifikuar rezultatet

Komisioni Qendrori zgjedhjeve në Kosovë ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit. Nga rezultatet e shpallura Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 50.28% të votave që i siguron këtij subjekti 58 ulëse në Kuvendi, e dyta radhitet PDK me 17.09% të votave, përkatësisht 19 deputetë, LDK ka siguruar 15 ulëse, ndërkaq 8 ulëse në Kuvend do t’i ketë AAK-ja. Nga pakicat Lista Serbe ka siguruar 10 ulëset e garantuara, dy ulëse ka siguruar Partia Demokratike Turke si dhe nga një ulëse kanë siguruar Koalicioni Vakat, Partia Gorane, Iniciativa e Re demokratike e Kosovës Partia e Re demokratike, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve dhe Unioni Socialdemokrat.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka arritur që të përmbush detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve dhe për shpalljen përfundimtare të rezultateve. Nga këtu dua t’i drejtohem deputetëve të legjislaturës së ardhshme, subjekteve politike, që reformën zgjedhore të mos e lënë në udhëkryq por t’i japin rrugën e duhur, KQZ është e gatshme për të dhënë kontributin e vet profesional në këtë reformë – u shpreh Valdete Daka-Kryetare e KQZ Kosovë.

Certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit e ka përshëndetur shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, i cili ka bërë thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve.

Vlerësoj faktin se Komisioni Qendror Zgjedhor ishte në gjendje të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve në më pak se 1 muaj pas ditës së zgjedhjeve. Pres që institucionet e Kosovës të themelohen sa më shpejtë dhe të fillojnë punën për të mirën e qytetarëve të Kosovës – ka shkruar Sznyog në Tuiter.

Pas certifikimit të rezultatit, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti, në këtë rast, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, brenda 30 ditësh duhet të thërrasë seancën e parë të kuvendit, në mënyrë që të formohen institucionet e dala nga zgjedhjet.

Alsat

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button