Një natë ankthi në Jabllanicë: Banorët përballë flakëve që rrezikuan fshatrat
Gazetar: Miki Trajkovski
Panik dhe frikë shkaktoi zjarri që shpërtheu një ditë më parë në malin Jabllanicë, mbi fshatrat Ladorishtë dhe Fjerishtë në rajonin e Strugës. Videot që banorët shpërndanin në rrjetet sociale tregonin një pamje të frikshme, ndërsa disa prej tyre alarmonin se zjarri ishte afruar deri në vetëm 300 metra nga shtëpitë e para. Ekipet e njësisë së zjarrfikësve nga Struga qëndruan në terren deri në orën 1 pas mesnate.
Banorët kanë qëndruar jashtë gjithë natën, duke e shuar zjarrin me lopata dhe mjete të improvizuara, nga frika për pronat e tyre. Ata besojnë se e gjithë kjo është shkaktuar nga njerëz të papërgjegjshëm. U bëjnë thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë për shuarjen e zjarrit edhe me ndihmën e helikopterëve.
Alsat sot ishte në fshatin Fjerishtë, nga ku shihej vetëm tym i dendur thellë në mal. Në terren sot ishin të angazhuar punonjës të Pyjeve dhe zjarrfikës nga Struga, pasi bëhet fjalë për një zonë vështirë të arritshme, për shkak të së cilës ishte e pamundur të reagohej me automjete. Komandanti i Njësitit të Zjarrfikësve, Feti Mazari, thotë se nuk ka nevojë për ndërhyrje me helikopter, pasi janë drejt fundit të shuarjes së zjarrit dhe se nuk ka më asnjë rrezik për vendbanimet dhe shtëpitë. Sa sipërfaqe pyjore është djegur dhe sa janë dëmet, për momentin nuk dihet. /alsat.mk








