Gazetare: Fatlume Dervishi
Kodi i ri zgjedhor nuk është i pamundur, sipas ish kreut të grupit të punës për një Kod të ri zgjedhor, Aleksandar Novakovski, njëherësh edhe ish kryetar i KSHZ-së. Ai thotë se grupi i punës, rreth dy vite më parë, rregulloi dhe u dakordua në prezencë të përfaqësuesve të partive politike dhe të institucioneve të kyçura në procesin zgjedhor, për çështjet me problematike të procesit dhe mbuloi të gjitha rekomandimet e ODIHR-së. Në atë kohë, mandati i grupit të punës u la në gjysmë pa sqarime konkrete nga Ministria e Drejtësisë kurse drafti i gatshëm mbeti pa u proceduar në Kuvend.
“Në grupin e punës u hap tema dhe u rregullua qasja e barabartë te mediat. U rregullura koha, u rregullua çështja e mbikëqyrjes, u rregulluan kompetencat e Agjencisë së mediave, si dhe çfarë do të mbikëqyrë, u rregullua çështja e portaleve, u rregullua çështja e fushatës. Nuk mund të bëjë kush çfarë do. U vendosën kushte. Vetë jemi të vetëdijshëm se gjithë fushata sillet rreth portaleve. Portalet duhet të kenë punuar të paktën një vit, nuk mund të hapen sipas nevojës vetëm për zgjedhje. Ministria e Financave do të bëjë trajnime rreth financave, u rregulluan donacionet, dallimi i shumës duhet të kthehet në buxhet. U rregullua se sa kohë para zgjedhjeve nuk mundet të bëhen pagesa nga buxheti dhe për këtë u parapanë gjoba shumë të larta”, deklaroi Aleksandar Novakovski, ekspert.
Tani është paralajëmruar formimi i një grupi të ri të punës në Kuvend. Formati i tij nuk është akoma i njohur mirëpo Novakovski vlerëson se në të, përveç partive politike, duhet të ketë edhe ekspertë. Drafti mbi të cilin do të punohet nuk është publik, por gjasat janë që edhe grupi i ri, të punojë mbi draftin e përpiluar nga grupi i punës me të cilin dy vite më parë udhëhiqte Novanovski. Konsensusi nuk është i vështirë, përderi sa nuk bisedohet për ndryshim të modelit zgjedhor, vlerëson Novakovski.
“Dilemat do të jenë te disa çështje. Nëse hapet tema e modelit zgjedhor, për një njësi zgjedhore, për census, këtu duhet patjetër partitë politike të vendosin. Modeli nuk është rekomandim i OSBE-ODIHR-së, kjo është çështje e jona, duhet ta zgjidhim ne. Mendimi im është se duhet të bisedohet sepse ka parti politike që këmbëngulin. Qëndrimi im ka qenë i qartë, nëse bëhet një njësi zgjedhore, duhet patjetër të ketë census”, tha Aleksandar Novakovski, ekspert.
Një nga sugjerimet e Novakovskit si ekspert, jashtë propozimit të grupit të punës, është që KSHZ-ja të marrë edhe kompetencën e mirëmbajtjes së listës zgjedhore por ai thotë se për këtë KSHZ-së i duhen kapacitete shtesë njerëzore. / Alsat.mk








