Nuk shtohet numri i inspektorëve ekologjik, ashtu siç ishte premtuar

Numri i inspektorëve ekologjik që do të monitoronin cilësinë e ambientit jetësor nuk do të rritet këtë vit, ashtu siç ishte paralajmëruar dhe siç është kërkuar në vazhdimësi nga shoqatat ekologjike. Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, thotë se në këtë periudhë janë rritur kontrollet e inspektorëve në terren por angazhimi i inspektorëve të rinj planifikohet në buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Ata kanë bërë kontrolle të jashtëzakonshme më të mëdha, specifikisht me kohën kur kishim ndotje më të lartë të ajrit në Tetovë, Kavadar dhe Kumanovë. Ka pasur më shumë kontrolle. Bashkëpunimi me inspektoratet lokalë është rritur. Tani edhe ne kemi bërë kërkesa për buxhetin e vitit 2021, të kemi më shumë mundësi në buxhet, që të punësojmë edhe më shumë inspektorë”-tha Naser Nuredini, ministër i Ekologjisë.

Deri në fund të vitit ishte premtuar po ashtu të riparohen edhe stacionet për matjen e cilësisë së ajrit. 4 nga 18 stacionet janë gjysmë funksional dhe nuk detektojnë të gjitha grimcat e dëmshme në ajër. Ministria do të riparojë një pjesë të tyre. Ndërkohë, donacionet për riparim të plotë të gjithë stacioneve të tjera, do të votohen.

“Ne nga buxheti jonë do të rregullojmë disa prej tyre tani në dhjetor dhe në bashkëpunim me “SIDA”-n nga Suedia kemi një projekt që kemi pritur të vinë elementet tjera deri në fund të vitit dhe të rifurnizohen shumë prej stacioneve në vendin tonë. Por ne jemi informuar që ka vonesë nga ana e tyre, tani, për shkak të Covidit. Tani duhet të presim edhe një muaj, dy më shumë”-pohoi Naser Nuredini, ministër i Ekologjisë.

Pa miratuar prej në fillim të vitit kanë mbetur edhe një sërë ligjesh që pritet të ndihmojnë në rritjen e cilësisë së ajrit. Pushteti planifikon rritjen e gjobave për ndotësit të cilat, sipas tyre, deri tani kanë qenë të ulta. Komunat do të obligohen të krijojnë plane për të menaxhuar situatën me ndotjen e ajrit dhe të marrin masa.

Në këtë mandat ministri Nuredini barti edhe përgjegjësinë e shpalljes së Malit Sharr, park nacional. Debati publik sapo ka përfunduar dhe propozimet duhet të shqyrtohen. Ministri shpreson që edhe kjo të mbyllet deri në fund të vitit.

“Unë kam biseduar edhe me ekspertët. Bashkë me ekspertët ndërkombëtar do të shkojmë nëpër fshatra të bisedojmë me qytetarët, t’i dëgjojmë edhe një herë qytetarët se çfarë komentesh kanë dhe ato t’i marrim parasysh por në bazë të kësaj, ka shpresë dhe vullnet që të bëhet deri në fund të vitit”-tha Naser Nuredini, ministër i Ekologjisë.

Politikat për ruajtjen e ambientit jetësor janë kyçe në procesin integrues të vendit në Bashkimin Evropian.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button