OBSH paralajmëron dimër “brutal” në Ukrainë

OBSH paralajmëron dimër “brutal” në Ukrainë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar për afrimin e një “dimri brutal” në Ukrainë, pasi sulmet e vazhdueshme ruse me raketa kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën civile dhe shëndetësore.

Hans Kluge, drejtor për Evropën në OBSH, ka thënë përmes një deklarate më 14 tetor, se do të vazhdojë ndihma për Kievin, pasi organizata do të jetë aktive në Ukrainë “për kohë të gjatë”.

Kluge ka paralajmëruar se dimri do ta bëjë mbijetesën edhe më të vështirë për ukrainasit që janë në zonën e luftës, dhe ka bërë thirrje për riparim të menjëhershëm të qendrave të shkatërruara shëndetësore, si pasojë e sulmeve ruse.

“Prioriteti kryesor është që të veprohet ndaj dëmit që është shkaktuar në qendrat mjekësore si pasojë e sulmeve të fundit. OBSH ka konfirmuar të paktën 620 sulme në qendrat shëndetësore prej nisjes së luftës në muajin shkurt. Ne duhet të rrisim mbështetjen për procesin e rindërtimit”, ka thënë Kluge.

“Shumë njerëz në Ukrainë janë duke jetuar në situatë të pasigurt, duke u bartur nga një lokacion te tjetri, dhe duke jetuar në objekte pa qasje në sistemet e ngrohjes”, ka paralajmëruar ai.

“Shkatërrimi i shtëpive dhe mungesa e rrymës apo energjisë, për shkak të infrastrukturës së dëmtuar, mund të bëhet çështje jetë a vdekje, nëse njerëzit nuk do të mund të ngrohin shtëpitë e tyre”.

Një zyrtar i OBSH-së ka thënë që më shumë se 800.000 shtëpi janë dëmtuar apo shkatërruar në Ukrainë, prej nisjes së luftës në fund të muajit shkurt, duke shtyrë mijëra njerëz që të jetojnë në qendra kolektive apo objekte të dëmtuara.

Sipas tij, qendrat kolektive rrisin rrezikun për përhapje të sëmundjeve infektive, siç është koronavirusi.

“Analizat e fundit ekonomike nga Banka Botërore sugjerojnë se lufta mund të përballë 60 për qind të popullsisë nën linjën e varfërisë”, ka thënë Kluge, duke bërë thirrje për një “udhërrëfyes urgjent” për të zgjeruar ofrimin e shërbimeve shëndetësore në muajt në vijim.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel/

LEXO EDHE:

Back to top button