Gazetare: Linda Ebibi
Oda e Mjekëve arsyetohet se nuk ka kryer kontrolle të rregullta në institucionet shëndetësore, pasi nuk kanë pasur pëlqimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas kësaj Ode kontrollet e jashtëzakonshme realizohen vetëm me kërkesë të ministrisë, Inspektoratit Shëndetësor apo familjarëve të pacientëve.
“Për disa vite me radhë atë listë të institucioneve shëndetësore se ku duhet të bëhet kontrolle të rregullta e dërgojmë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe duhet të marrim leje që të hyjmë në ndonjë klinikë, pra duhet patjetër të miratohet se mund të shkojmë të bëjmë mbikëqyrje profesionale për të parë se si punohet në atë institucion shëndetësor. Pra, për disa vite me radhë rregullisht dy tri herë kemi dërguar kërkesë, nuk kemi marrë përgjigje, dhe për këtë ato kontrolle të rregullta nuk janë bërë”, tha Kalina Sardelova, kryetare e Odës së Mjekëve.
Oda e Mjekëve është në pritje të dokumentacionit të mbledhur nga pacientët që kanë kryer ndërhyrje kardiologjike, në mënyrë që më pas të formojë komisionin përkatës, i cili nuk duhet të përbëhet nga mjekë të punësuar në klinikat ku do të zhvillohet ky inspektim i jashtëzakonshëm. Ndërkohë nga Oda e Mjekëve folën edhe për mungesën e kuadrit profesional nëpër institucionet shëndetësore. Kërkojnë ndryshime në arsimin e specializantëve, në mënyrë që mos të largohen jashtë vendit.
“Ne kemi pasur një iniciativë e cila mori një përgjigje pozitive nga Ministria e Shëndetësisë që të bëjmë ndryshime në mënyrën e arsimit të specializimeve që ta harmonizojmë me vendet e rajonit. Pasi mjekët tanë shkojnë për specializim në Bolonjë, që me të vërtet mendoj se është shumë e panevojshme për kaq shumë pak banorë të vendit”, u shpreh Kalina Sardelova, kryetare e Odës së Mjekëve.
Nëpër të gjitha klinikat e vendit ka mungesë të theksuar të specialistëve. Në Kardiokirurgji, ndërhyrjet janë të reduktuara për shkak të mungesës së anesteziologëve. Me problemin e njëjtë përballen edhe spitalet jashtë Shkupit. / Alsat.mk








