Ohër, uji i liqenit shfrytëzohet për pije

Për shkak të zvogëlimit të kapacitetit të burimeve, qytetarët e Ohrit tani furnizohen me ujë të pijshëm direkt nga Liqeni. Nëse deri para do kohe, uji nga liqeni përdorej vetëm gjatë verës për shkak të fluksit të turistëve, tani nevojë për këtë ka gjatë gjithë vitit. Ky ujë fillimisht filtrohet, hidhet klor dhe më pas arrin tek konsumatorët përfundimtar.

Ne pompojmë ujë në thellësi prej 50 metrash. Aty kemi filtra nga Izraeli, të cilët ndalojnë planktonet për ta bërë ujin të mirë për pije. Ekonomikisht nuk është e leverdishme të tërheqim ujë nëse kemi ujë me rënie të lirë. Pompat na ngarkojnë me shumë energji elektrike – tha Svetozar Stefanoviq, drejtor i NP Ujësjellësi Ohër.

Ekspertët besojnë se uji nga liqeni është me cilësi të lartë, zakonisht mes kategorisë së parë dhe të dytë.

Në mënyrë që kjo të bëhet vazhdimisht, për të përdorur atë ujë të pijshëm vazhdimisht, duhet të bëhet një studim serioz, sepse me përdorimin e ujit nga Liqeni i Ohrit gjatë gjithë vitit, duhet të llogaritet kapaciteti i nevojshëm për qytetarët. Mendoj se do të prishet ekosistemi – tha Sasho Toçkov – Drejtor i Qendrës së Shëndetit Publik -Ohër.

Për dallim nga Ohri, Struga ka problem edhe më serioz me ujin e pijshëm, sepse atje nuk ka mundësi të përdoret uji nga liqeni si alternativë.

Para disa viteve kam paraqitur një ide në komunën e Strugës për shfrytëzimin e burime nënujore nga liqeni, në brezin afër fshatit Kalishtë, me vendosjen e një stacion pompimi dhe filtra adekuat për pastrim. Vetëm nevojitet përgatitja e dokumentacioni teknik. I gjithë investimi do ishte diku rreth gjysmë milioni euro. Në këtë mënyrë, do të ketë 4 herë më shumë ujë se sa nevojitet në Strugë – deklaroi Vait Ajto, ekspert i ujit.

Nga ndërmarrja publike Ujësjellësi dhe kanalizimi në Strugë për Alsat thonë se nga ora 22 në mbrëmje deri në 5 të mëngjesit do të vendosin kufizim të ujit. Burimet në Shum dhe Belicën e Epërme janë me kapacitet të reduktuar, dhe nëse nuk ka përmirësim në më shumë se dy javë, situata mund të jetë edhe më kritike. Në këtë moment rrjedha e tyre totale është vetëm 120 litra ujë në sekondë, ndërsa në kushte normale rrjedhja është midis 180 dhe 220 litra në sekondë.

Miki Trajkovski

LEXO EDHE:

Back to top button