OKB-ja paralajmëron katastrofë nga mungesa e ushqimit

OKB-ja paralajmëron katastrofë nga mungesa e ushqimit

Kreu i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi të premten se bota do të përballet me katastrofë për shkak të mungesës në rritje të ushqimit në mbarë globin.

Guterres ka thënë se lufta në Ukrainë ka shtuar ndërprerjet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike, pandemia dhe pabarazia për të prodhuar një “krizë të paprecedentë urie globale” që tashmë ka prekur qindra miliona njerëz.

“Ekziston një rrezik real që shumë vende do të shpallen ‘zi buke’ (mungesë ekstreme e ushqimit) në vitin 2022”, ka thënë ai në një mesazh video drejtuar zyrtarëve nga dhjetëra vende të pasura dhe në zhvillim të mbledhur në Berlin. “Dhe viti 2023 mund të jetë edhe më i keq”.

Guterres vuri në dukje se të korrat në të gjithë Azinë, Afrikën dhe Amerikën do të goditen pasi fermerët në mbarë botën luftojnë për të përballuar rritjen e çmimeve të plehrave dhe energjisë.

“Asnjë vend nuk do të jetë imun ndaj pasojave sociale dhe ekonomike të një katastrofe të tillë”, vijoi ai.

Guterres ka thënë se negociatorët e OKB-së po punonin për një marrëveshje që do t’i mundësonte Ukrainës të eksportonte ushqime, duke përfshirë përmes Detit të Zi, dhe të lejonte Rusinë të sillte ushqim dhe plehra në tregjet botërore pa kufizime.

Ai bëri thirrje gjithashtu për lehtësimin e borxhit për vendet e varfra për të ndihmuar në mbajtjen e ekonomive të tyre në këmbë dhe për sektorin privat për të ndihmuar në stabilizimin e tregjeve globale të ushqimit.

LEXO EDHE:

Back to top button