Opozita kërkon që të ulet çmimi i naftës
Gazetar: Zekirija Haxhiu
“Qeveria menjëherë të ulë çmimet e derivateve dhe të pranojë masat e LSDM-së për uljen e TVSH-së për derivatet nga 18 në 5%, për uljen e akcizës për 4 denarë dhe uljen e TVSH-së për produktet ushqimore bazë”, deklaroi Bogdana Kuzeska – Zëdhënëse e LSDM-së.
Nga BDI konsiderojnë se Qeveria ka pasur mjaftueshëm kohë të përgatitet për masa pasi paralajmërimet kanë ardhur prej javësh. Nga kjo parti bëjnë thirrje që të inspektojnë pompat e derivateve për sasinë e naftës para orës 00:00 dhe për të njëjtën të ngrijnë çmimet pasi dyshojnë se ka pasur keqpërdorime duke fshehur naftë për ta shitur atë më shtrenjtë pas mesnate.
“Duke pasur parasysh deklaratat e institucioneve kompetente se shteti disponon rezerva të naftës për rreth 62 ditë, këto rezerva duhet të hidhen menjëherë në treg me çmim maksimal prej 71 denarë për litër. Duhet theksuar se këto sasi janë blerë me çmime edhe më të ulëta se ky nivel. Po ashtu, qeveria duhet të shqyrtojë menjëherë mundësinë e uljes së barrës fiskale për derivatet e naftës, përfshirë akcizat dhe detyrimet tjera”, tha Albana Mustafa – BDI.
Ulja e çmimit për fuçi të naftës erdhi pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, ku njoftoi se operacioni ushtarak kundër Iranit praktikisht ka mbaruar. Ky kontribuoi drejt për drejtë në qetësimin e panikut midis investitorëve që ishte shkaktuar nga mbyllja e ngushticës së Hormuzit përmes së cilës kalon 30 për qind e derivateve në botë. /Alsat.mk.








