Shtrenjtimi i karburanteve ka shtuar numrin e qytetarëve që shfrytëzojnë transportin publik
Shtrenjtimi i karburanteve ka shtuar numrin e qytetarëve që shfrytëzojnë transportin publik
Gazetar: Avni Tahiri
Pritjet e gjata për autobusët urban të Shkupit vazhdon. Me shtrenjtimin e karburanteve është shtuar edhe numri i qytetarëve të cilët shfrytëzojnë transportin publik.
Sipas qytetarëve, ka vonesa të autobusëve publikë dhe rrëmujë. Sidomos në kohën kur qytetarët kthehen nga puna vështirë se gjendet vend bosh në autobus.
“Autobusët vonohen shpesh dhe nuk janë të rregullt. Çdoherë që vijmë më së paku 20 minuta vonohen. Sot si ishte situata? Edhe sot ishte e njëjta,” tha një qytetar.
“Gjithmonë është njëjtë, e sidomos në kohen kur nxënësit lëshohen nga shkolla në ora 13:30, atëherë bëhemi si sandviç brenda, me një këmbë kam qëndruar me gjysmë derë të mbyllur,” u shpreh një qytetare.
“Katastrofë është me autobusët. Në 40 apo një orë vijnë, nuk janë të rregullt. Vinte në ora 7:00 dhe tani është ndërprerë,” u shpreh një qytetare.
Ndërkaq NQP-ja hodhi poshtë zërat që autobusët të kenë lënë pasagjerë në rrugë për shkak të mungesës së karburantit. Sipas NQP-së, qarkullimi po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe se nuk ka mungesës të karburanteve.
“NQP, Shkup, ka një tender aktiv për furnizim me karburant dhe aktualisht nuk kemi njoftim nga furnizuesi për ndonjë mungesë të mundshme të derivateve. Për më tepër, ne veprojmë sipas informacioneve që i marrim çdo ditë nga institucionet kompetente, sipas të cilave në vend ka rezerva të mjaftueshme të të gjitha llojeve të karburantit,” thanë nga NQP
- NQP, tender aktiv për furnizim me karburant.
- Nuk kemi njoftim nga furnizuesi për ndonjë mungesë të mundshme të derivateve.
Nga NQP shtojnë se furnizimi me karburant është i siguruar dhe nuk ka arsye për panik te qytetarët. /alsat.mk








