Opozita maqedonase as nuk tërhiqet, as nuk propozon nënkryetar të Kuvendit


VMRO- DPMNE-ja nuk tërhiqet nga posti i nënkryetarit të Kuvendit, por as nuk do të propozojë emër, me arsyetimin se numri prej 5 nënkryetarëve është i kushtueshëm dhe i imagjinuar nga LSDM-ja me qëllim të shpërqendrimit të opinionit

“VMRO DPMNE as nuk pranon e as nuk do të propozojë nënkryetar të Kuvendit. Për dy arsye, së pari sepse kaq shumë nënkryetarë janë ekonomikisht të paarsyeshëm, harxhohen paratë e qytetarëve. Së dyti, sepse bëhet fjalë për pozicion të imagjinuar nga LSDM-ja dhe Zaevi vetëm që të mund të tregtojnë me funksione. Kjo është temë artificiale, e krijuar dhe e imponuar nga ana e LSDM-së dhe Zaevit ditëve të fundit, që të shpërqendrohet vëmendja në kohën kur vetëm për 5 muaj 40 000 njerëz mbetën pa punë”, tha Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO DPMNE-së.

Mandatari për kryeministër, Zoran Zaev nga ana tjetër thotë se numri prej 5 nënkryetarëve do të mundësonte të dëgjohet zëri i të gjithë qytetarëve në ligjvënës, duke mohuar se do të shkaktonte shumë harxhime shtesë. Sipas Zaevit nëse VMRO DPMNE-ja tërhiqet nga nënkryetari që i takon me ligj, atëherë do të tërhiqet edhe LSDM-ja dhe do të mbeten 3 pozicione nënkryetarësh për partitë më të vogla.

“Një nënkryetar Kuvendi merr 100 deri në 150 euro më shumë, kjo nuk nënkupton rritje të harxhimeve. Ndërsa zyrë të posaçme kanë të gjithë deputetët. Por esenca është a e dëgjojmë zërin e qytetarëve. Nëse VMRO DPMNE-ja tërhiqet, atëherë edhe LSDM-ja do të tërhiqet, do t’u lëmë hapësirë partive më të vogla, që numri i nënkryetarëve të jetë edhe më i ulët. Thanë se nuk do të propozojnë, por do të shohim. Si do të veprojnë ato, ashtu do të sillemi edhe ne”, u shpreh Zoran Zaev, Mandatar për kryeministër.

Nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët- Alternativa thonë se nuk iu është ofruar mundësia për të propozuar një nënkryetar, që të shqyrtonin pastaj nëse do të propozonin kandidat ose do të tërhiqeshin. Theksojnë se ndjehen të diskriminuar si koalicion që përfaqësojnë opozitën shqiptare. Seanca parlamentare për nënkryetarët e Kuvendit mbeti përgjysmë dhe nuk dihet kur do të vazhdojë dhe rrjedhimisht nuk dihet se çfarë do të ndodhë me Këshillin për kanalin e Kuvendit, me të cilin sipas Ligjit për Kuvendin, udhëheq nënkryetari nga radhët e opozitës.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button