Opozita maqedonase proteston edhe dy ditë, më pas vendos për hapat e mëtutjeshëm

VMRO-DPMNE-ja vazhdon protestat. Opozita maqedonase kërkon të shohë anekset plotësuese në Marrëveshjen me Bullgarinë për të cilët thotë se kanë negociuar Zaev, Osmani dhe Dimitrov. Edhe pse paralajmëroi ndërprerjen e protestave, VMRO sërish doli në rrugë. Ndërkohë deputeti Antonio Milloshovski, njëherësh kryetar i Komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme ka thirrur për të mërkurën mbledhjen e komisionit në të cilin do të shqyrtohet procesi negociues gjatë kryesimit portugez.

Shqyrtimi i çështjes së bisedimeve para aderuese me BE-në gjatë kohës së presidencës portugeze, në kontekst me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, miqësi dhe bashkëpunim mes Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë, e nënshkruar më 01.08.2017 – njoftojnë nga Komisioni për Politikë të Jashtme.

Nuk dihet nëse ministri i Jashtëm, Bujar Osmani do të paraqitet në mbledhjen e Komisionit për shkak të vizitës zyrtare në Sllovaki dhe më pas në Turqi, por opozita është e vendosur që të hap diskutimin për këtë pikë edhe pa prezencën e shefit të diplomacisë. Rregullorja e Kuvendit nuk kushtëzon anëtarin e Qeverisë të jetë prezent në mbledhjen e trupave punues, derisa arsyeton mungesën e tij. Ndërkohë opozita nuk ka betonuar agjendën e saj. Edhe të martën do të protestojë, ndërsa pas mbledhjes së komisionit mund të ndryshojë qëndrimet derisa të mësojnë se për çfarë negociohet. Në të kundërtën, partia e Hristijan Mickoskit do t’i kthehet protestave masive deri në realizimin e kërkesave.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button