Partitë opozitare kanë reaguar sërish për rritjen e çmimeve të derivateve. Nga LDSM-ja opozitare akuzojnë se pushteti nuk ka ndërmarrë asgjë, ka gënjyer dhe po godet drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve. Ata kërkojnë ulje të menjëhershme të TVSH-së për derivate nga 18% në 5%, ulje të akcizës për 4 denarë, 0% TVSH për produktet bazë ushqimore, si dhe përgjysmim të çmimeve të pagesave rrugore. BDI nga ana tjetër ka bërë analizë se sa shumë po u kushton qytetarëve rritja e çmimeve të karburanteve.
„ Mosndërhyrja e Qeverisë po u kushton qytetarëve dhe bizneseve rreth 685.000 euro në ditë, ose mbi 5.15 milionë euro në javë. Vetëm gjatë dy javëve të fundit, qytetarët kanë paguar mbi 10 milionë euro më shumë për derivate të naftës.Rritja e çmimeve prej 21 denarë për litër ka goditur drejtpërdrejt qytetarët që udhëtojnë drejt Shkupit:
- Qytetarët e Tetovës: rreth 600 euro më shumë në vit/qytetarë
- Qytetarët e Gostivarit: rreth 780 euro më shumë në vit/qytetarë
- Qytetarët e Kumanovës: rreth 579 euro më shumë në vit/qytetarë “ deklaroi Imrane Veliu Aliu, BDI. /Alsat.mk








