Vulat e ASH-së i kalojnë Taravarit, vendimi në Tetovë ende i apelueshëm nga Sela
Gazetar: Zekirja Haxhiu
Rikthim i rezultatit në minutat e fundit për pronësinë e Aleancës për Shqiptarët. Pasi paraprakisht Gjykata Themelore e Tetovës kishte vendosur që ASH i takon Selës, sot e njëjta ndryshoi mendje dhe vendosi që vulat e partisë duhet ti takojnë Arben Taravarit. Gjykata ka shfuqizuar statutin e kongresit të 3të të jashtëzakonshëm të mbajtur më 24.12.2022 dhe është regjistruar statuti i kongresit të dytë nga data 27.03.2022.
“Lufta” për vula mes dy krahëve të Aleancës daton që para më tepër se dy viteve kur Taravari e Sela ndanë rrugët sipas bindjeve të tyre politike, njëri shkoi me VLEN-in (atëkohë LEN), e tjetri me Frontin Evropian. Fillimisht në prill të vitit 2024, Gjykata e Tetovës vendosi që vulat e partisë t’i takojnë Ziadin Selës por krahu i Taravarit ankimoi vendimin në Apel. Shkalla e dytë në shtator 2024 ktheu lëndën në rigjykim.
Edhe vendimi i dytë i Gjykatës së Tetovës, përsëri ishte në favor të Selës. Në shkurt të vitit 2025, për herë të dytë Gjykata vendosi se kryetar legjitim i Aleancës është Ziadin Sela por edhe këtë vendim e ankimuan nga krahu i Taravarit. Apeli sërish e riktheu në rigjykim. Akuzonin krahun tjetër të Selës se kanë ndërruar madje katër gjyqtarë deri në momentin që kanë arritur të gjejnë gjyqtarin e tyre të preferuar që të vendos në favorin e tyre. Për të fituar legjitimitetin e partisë, të dy krahët mbanin kongrese partiake dhe akuzonin njëra tjetrën se nuk kanë numrin e mjaftueshëm të delegatëve.
Megjithatë kjo nuk do të thotë se vendimi është i plotfuqishëm pasi të drejtë ankese në Apel tani kanë edhe krahu i Selës në afat prej 15 ditëve. /Alsat.mk








