Opozita në koordinim për të larguar Qeverinë

Opozita në koordinim për të larguar Qeverinë

Gazetare: Fatlume Dervishi

Shteti lëviz në drejtim të gabuar dhe qeveria duhet të largohet, ishte ky qëndrimi i dy liderëve të dy partive opozitare Hristijan Mickoski dhe Bilall Kasami, të cilët paralajmëruan se do të shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat që kjo të ndodhë. Këto qëndrime liderët i dhanë gjatë takimit në hapësirat e Komunës së Tetovës, shkruan Alsat.

Se cilave mekanizma u referohen, dy liderët nuk precizojnë, por nuk përjashtojnë as mundësinë e protestave

“Unë nuk pres që të ikin vetë ata që përdorin vetura me vlerë prej gjysmë milioni eurosh, që shkelin mbi qilim të kuq të trashë në kabinetet qeveritare, që shtrihen në kolltukë të lëkurës deri sa populli është i uritur dhe të rinjtë ikin nga shteti, qytetarët vdesin nëpër spitale ose digjen të gjallë siç ishte rasti me spitalin modular në Tetovë. Prandaj ne si opozitë kemi mjetet dhe metodat tona, institucionale dhe jashtë institucionale të luftojmë për atë që mendojmë se populli e pret nga ne”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

“Ne do të shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat demokratik për të bërë ndryshime dhe për t’u reflektuar vullneti i qytetarëve edhe në pushtetin qendror”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Opozita e vazhdon betejën edhe në Kuvend. Por Mickoski dhe Kasami nuk pranojnë që bllokimi i komisioneve parlamentare është në kuadër të strategjisë së tyre. Të pyetur nëse do të tërheqin anëtarët e tyre nga disa komisione parlamentare që shumica të ketë shumicën edhe në komisione, dy liderët mohuan. Kjo sipas tyre vlen edhe për Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime, në të cilin janë bllokuar të gjitha procedurat për shkak se shumicën e bën deputeti i Lëvizjes Besa, edhe pse tashmë Besa është në opozitë.

“Ndarja e pozicioneve në kuadër të parlamentit, si gjithmonë në të kaluarën edhe në këtë format parlamentar, bëhet në bazë të zgjedhjeve të fundit dhe të rezultatit zgjedhor. Nuk ka ndodhur në të kaluarën që në ndërkohë të ketë pasur rikonfigurim të komisioneve dhe trupave tjerë të parlamentit”, tha tutje Kasami.

“Edhe ai komision ka numër të mjaftueshëm deputetësh. Duhet vetëm të marrë guximin kreu i Kuvendit Talat Xhaferi ta caktojë dhe ai komision të mblidhet. Nëse ata duan të partizojnë gjykatës kushtetues dhe të vendosin gjykatës dhe anëtarë të trupave rregullativ me dekrete partiake, ndjesë por unë nuk do të pajtohem dhe do të bëj gjithçka që është fuqinë time që këtë mos ta lejoj”, theksoi Mickoski.

Pushteti thotë se zgjedhjet parlamentare duhet të jenë të rregullta në vitin 2024 kurse opozita duhet të jetë konstruktive në zhbllokimin e trupave të Kuvendit. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button