Opozita shqiptare: Kandidatura e Memetit dëshmon se drejtësia është nën kthetrat e politikës

Në ditën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, opozita shqiptare vlerëson se për këtë çështje nuk ka pasur lëvizje, pikërisht edhe për shkak të neglizhencës së avokatit të Popullit Ixhet Memetit, i cili tanimë synon postin e anëtarit të këshillit të Prokurorëve.

Deputeti i koalicionit ASH-AAA Halil Snopçe thotë se si kryetar i Komisionit anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, ka marrë shumë shkresa nga qytetarët të cilët nuk kanë mundur të gjejnë drejtësinë edhe përmes zyrës së Avokatit të popullit.

Ai thotë se deklaratat e zyrtarëve të BDI-së se nuk do të ketë drejtësi të porositur nga telefoni, dëshmon se drejtësia në vendin tonë është diktuar nga politika.

Pse BDI e ka këtë qasje të zgjedhjes së njerëzve të vetë nëpër gjyqësi e gjykata të ndryshme, sepse e mbron vetveten, do të thotë ata e dinë se pas paraqitjes së skandaleve të tyre njerëzit e tyre, ministra, zv/ministra, njerëz partiak të emëruar në pozicione të tilla do ti mbrojnë e nuk ka perspektive, normalisht nuk ka edhe besueshmëri -tha Halil Snopçe, deputet i ASH-AAA.

Por nga partia e integristëve arsyetojnë mbështetjen për zgjedhjen e Ixhet Memetit si anëtar i Këshillit të Prokurorëve. Arbër Ademi thotë se grupi parlamentar i BDI-së e mbështet Memetin, si kuadër profesional.

Duke pasur parasysh se Ixhet Memeti është i vetmi kandidat shqiptar i cili ka aplikuar, ka përvojën e duhur, përgatitjen e duhur dhe ne si grup parlamentar i BDI-së do ti japim mbështetje – deklaroi Arbër Ademi, deputet i BDI-së.

Ixhet Memeti për 16 vite është në pozitën e Avokatit të Popullit. Gjatë kësaj periudhe, Zyra e Avokatit të popullit, ka bërë vetëm raporte vjetore lidhur me liritë dhe të drejtat e njeriut. Mandatin e dytë si avokat i Popullit Memeti e mori në 24 dhjetorin e përgjakshëm në vitin 2012, kur deputetët e LSDM-së ishin larguar me dhunë nga salla e Kuvendit. Sipas Ligjit për Avokatin e Popullit, Kuvendi obligohet ta fillojë procedurën për zgjedhjen e avokatit të popullit dhe zëvendësve të tij, tre muaj para skadimit të mandatit të tyre. Por edhe pse parlamenti duhej ta fillonte procedurën më 24 shtator ende nuk ka shpallje. Nga Kuvendi nuk përgjigjen se pse nuk është filluar procedura. Talat Xhaferi në takimet me gazetarët, tha se konkursi do të shpallet kur të ketë marrëveshje politike midis palëve, megjithëse avokati i popullit duhet të jetë i pavarur.

Mefail Ismaili

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button