Organizatat e huaja thonë se numri i personave që do ikin nga lufta në Ukrainë do t’i tejkalojë shifrat prej 4 milionëve

Organizatat e huaja thonë se numri i personave që do ikin nga lufta në Ukrainë do t’i tejkalojë shifrat prej 4 milionëve

Gazetare: Evi Shkopi

Pas 80 vitesh, e moshuara Piroska Baksa u detyrua të lërë vendin e saj, ku ishte lindur e rritur, sepse ajo dhe familja e saj rrezikoheshin nga sulmet ruse. Edhe pse ajo ngurronte të linte pas gjithçka që kishte, ishin mbesat të cilat i kishin thënë se nuk do të largoheshin pa të, shkruan Alsat.

Gjendja e krijuar në Ukrainë i ktheu asaj kujtimet nga Lufta e Dytë Botërore. Ajo tha se kishte frikë se kjo luftë, do të bënte që njerëzit të largoheshin nga rajoni si refugjatë ose të bashkoheshin me luftën në front, duke mos lënë askënd në gjendje të kujdesej për fushat.

“Duhet të largoheshim nga shtëpia, të linim pas gjithçka. Vajza ime ka një qen, por na u desh ta lëshonim, nuk kishim  me kë ta lëmë, të gjithë po ikin. Unë nuk mund të fle. Nuk mund të bie në gjumë në një vend të çuditshëm. Nuk mund të mbjellësh një pemë të vjetër në një vend të ri, ajo do të thahet. Ky udhëtim është i vështirë për mua”, tha Piroska Baksa- banore.

Ashtu si e moshuara Piroska Baksa, rreth 660 mijë ukrainas kanë kaluar kufijtë drejt vendeve fqinje, si Polonia, Rumania, Sllovakia, Hungaria, Moldavia. Ndërsa Bashkimi Evropian vlerëson se deri në 4 milionë njerëz mund të përpiqen të largohen nga vendi për shkak të pushtimit rus.

Edhe në Athinë mbërriti një autobus me dhjetëra refugjatë që kishin ikur nga Ukraina.

“U tremba, çfarë të them, nuk e besuam në ditët e para, çfarë po ndodhte. Një ditë zgjohesh dhe nuk kupton se çfarë po ndodh, dhe jeta jote nuk do të jetë më ajo që ishte, dhe unë u tremba. Më shumë për njerëzit dhe familjet që qëndruan atje, dhe shumë njerëz që njoh, kushërinjtë e mi po zihen dhe ne jemi të frikësuar”, u shpreh Diana, Banore e Lëvov.

Polonia po përgatit një tren mjekësor për të transportuar ukrainasit e plagosur dhe ka hartuar një listë me 1230 spitale për t’i dërguar ata. Në Hungari dhe Rumani, refugjatëve u jepen para për ushqim dhe veshje. Fëmijëve u sigurohen vende në shkollat lokale. Në Poloni dhe në vendet e tjera në kufi me Ukrainën, refugjatët mund të qëndrojnë në qendrat e pritjes nëse nuk kanë miq ose të afërm.

Aty u jepet ushqim dhe kujdes mjekësor. Vendet dikur kishin kufizime kohore për sa mund të kalonin refugjatët në qendrat e pritjes, por shumica thonë se ka të ngjarë të heqin dorë nga ato dhe se ukrainasit mund të qëndrojnë në to për aq kohë sa u nevojitet. BE-ja po përgatitet t’u japë ukrainasve që ikin nga lufta një të drejtë totale për të qëndruar dhe punuar në të 27 vendet e bllokut deri në tre vjet, sipas zyrtarëve të BE-së dhe francezëve./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button