Raketat ruse godasin qendrën e Harkivit, 10 të vdekur nga sulmi

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Qendra e Harkivit është goditur nga raketat ruse. Në disa pamje në rrjetet sociale shihet sesi raketat godasin ndërtesën e administratës rajonale, shkruan Alsat.

Raportohet për dhjetëra të vrarë dhe disa të plagosur

“Si pasojë e sulmit ajror është shkatërruar pjesërisht godina e administratës rajonale dhe ndërtesat pranë administratës. Njerëzit janë nën rrënoja, ne kemi nxjerrë trupat e të paktën gjashtë personave, dhe rreth 20 persona janë lënduar”, tha Yevhen Vasilenko, përfaqësues i Ministrisë së situatave emergjente.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka përshkruar si krim lufte bombardimin e Harkivit. Ai tha se dëshmitarët kanë treguar që edhe civilët janë shënjestruar.

“Ky është krim lufte. Qyteti paqësor. Zona paqësore të banimit. Pa objekte ushtarake. Dhjetëra incizime të dëshmitarëve dëshmojnë se kjo nuk është vetëm breshëri e vetme, por shkatërrim i njerëzve. Rusët e kanë ditur kë kanë qëlluar”, deklaroi Volodomir Zielinski, President i Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov hodhi poshtë si të pavërteta akuzat për sulmet ruse ndaj objektivave civile dhe përdorimin e bombave thërrmuese dhe bombave me vakum.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se ushtria ruse synon vetëm objektet ushtarake dhe “përdor ekskluzivisht armë precize” pavarësisht provave të bollshme të dokumentuara nga AP për granatimet pa dallim të shtëpive, shkollave dhe spitaleve në të gjithë Ukrainën.

“Në rrjedhën e përleshjeve ushtarake, pala ukrainase nuk heziton të përdorë civilët si mburoja njerëzore. Sisteme të shumta raketash, armë, mortaja të kalibrit të madh vendosen në oborret e ndërtesave të banimit, pranë shkollave dhe kopshteve”, u shpreh Shergej Shoigu, Ministër i Mbrojtjes së Rusisë.

Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, ka nisur hetime për pushtimin rus. Ai ka thënë se beson që ka bazë të mjaftueshme për të besuar se në Ukrainë janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ndërkohë imazhet satelitore të kompanisë private amerikane Maxar Technologies Inc tregojnë kolonën me mjete ushtarake në veri të kryeqytetit Kiev. Konvoji i armatosur rus i cili ka nisur grumbullimin prej të dielës ka arritur në 65 kilometra i gjatë. Kolona mbulon të gjithë shtrirjen e rrugës nga afër aeroportit Antonov, deri në qytetin e Prybirsk – një distancë prej afërsisht 65 km. Maxar tha se satelitët e tij kishin kapur gjithashtu imazhe të “dislokimeve shtesë të forcave tokësore dhe njësive helikopterësh sulmues tokësorë” në Bjellorusinë jugore. Që nga fillimi i ofensivës ruse të enjten, forcat ukrainase kanë mbrojtur rrugët që çojnë në qendër të Kievit kundër sulmeve të forcave ruse që po grumbullohen rreth kryeqytetit. Zyrtarë ushtarakë ukrainas kanë pretenduar se 5,710 trupa ruse janë vrarë në pesë ditët e para të luftimeve në Ukrainë, ndërsa janë zënë robër mbi 200 ushtarë rusë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button