Osmani: Kosova ka nevojë për unitet politik në interes të kombit

Kosova ka nevojë për unitet politik në interes të kombit. Me këtë porosi ushtruesja e detyrës presidente e Kosovës Vjosa Osmani kërkoi nga aktorët politik unifikim kundër kësaj sprove shtetërore.

Është me rëndësi që mbi çështjet me interes nacional të bashkohen të gjithë. Sa më përket mua edhe në këtë pozicion do ta jap kontributin maksimal por kjo varet edhe nga përfaqësuesit tjerë politik – deklaroi Vjosa Osmani, u.d. Presidente e Kosovës.

Derisa mesazhet e presidentes nuk kishin arritur akoma tek qytetarët, në Qeveri u vërejtën përçarjet e para mes partnerëve të koalicionit. Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi nga AAK kërkoi pezullimin e dialogut me Serbinë deri në një situatë të re në favor të Kosovës.

Konsideroj se në këtë situatë Qeveria e Kosovës duhet të pezullon dialogun deri në një moment tjetër, aq më tepër kur Dhomat e Specializuara marrin dokumente të fabrikuara nga Shërbimet Sekretë të Millosheviçit. Në këtë situatë siguria e nacionale e shtetit të Kosovës është e brishtë – tha Selim Selimi, Ministër i Drejtësisë.

Ndaj kërkesës së Selimit, kryeministri Hoti theksoi se në Qeverinë e Kosovës nuk ka vend për sjellje ndryshe.

Në Qeverinë e Kosovës nuk ka hapësirë për sjellje ndryshe. Bazën ligjore e kemi të qartë se si të sillemi në këtë situatë se si të sillemi peronave të përfshirë në këtë çështje – u shpreh Avdulla Hoti, Kryeministër i Kosovës.

Ministri i Brendshëm, Agim Veliu tha në mbledhjen e Qeverisë se policia është në gjendje gatishmërie për të kontrolluar çdo situatë që rrezikon sigurinë kombëtare. Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë paralajmëruar protesta gjithë popullorë kundër akuzave nga Dhomat e Specializuara. Ish presidenti Thaçi në prononcimin e tij të fundit kërkoi nga qytetarët të ruajnë gjakftohtësinë dhe të përmbahen nga reagimet e pakontrolluara si pasojë e zhvillimeve të fundit.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button